RajoniTop Lajme

Rama në Berat: Pensionistët, prioritet për mua dhe Partinë Socialiste

Shpërndaje

Në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedim me pensionistët në Berat u shpreh se PS po vijon me politikat mbështetëse, duke filluar nga indeksimi te rritja reale e pensioneve, që sipas tij, tashmë ka nisur të shkojë drejt 5-fishimit deri në janar të vitit 2030.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se pensionistët kanë qenë dhe do jenë prioritet i vazhdueshëm për të dhe Partinë Socialiste.

“Më vjen mirë që kam qëndruar në këtë detyrë deri kur u bë e mundur që më në fund të përcaktonim një plan financiar të mbështetur nga buxheti për një kapërcim real të pensioneve nga pamjaftueshmëria ku ishin, te një nivel i arsyeshëm, jo i mjaftueshëm, por i arsyeshëm.

Pensionistët kanë qenë prioritet për mua dhe për ne, por rritja e pensioneve ka qenë më e vështira dhe është gjithmonë më e vështira, sepse pensionet funksionojnë mbi bazën e një skeme të sigurimeve shoqërore dhe nëse skema nuk është solide, bëhet e vështirë të imagjinosh një rritje të arsyeshme të pensioneve pa rrezikuar themelet e të gjithë ekonomisë dhe për këtë arsye ju kam thënë se e kemi prioritet, por duhet të rrisim ekonominë dhe mundësitë.

Erdhi momenti kur ne e pamë qartë mundësinë, sepse kaluam një fazë të parë të qeverisjes duke mbyllur disa gropa të panumërta borxhesh dhe shumë papërgjegjshmërie, pastaj filluam investimet serioze, pavarësisht se rrugës u desh të ndeshemi me tërmet, pandemi dhe kostot e energjisë të një lufte që nuk kishte lidhje fare me ne, ne ia dolëm që të jemi i vetmi vend dhe këtë e them me shumë krenari: që nuk e ka rritur çmimin, por e ka ulur çmimin e energjisë elektrike. Tani ia dolëm dhe të vijmë te ju dhe t’ju shikojmë pa sikletin e madh që s’kemi çfarë t’ju themi për pensionet.

Sepse skema e rritjes përmes atij niveli që përmendi ministrja me dyfishim të përvitshëm të rritjes së vitit të mëparshëm është e garantuar 100% në buxhet.

Çfarë ju është rritur këtë janar, që vazhdon çdo muaj natyrisht, do t’ju dyfishohet në janarin e ardhshëm, do t’ju trefishohet në 2028, do t’ju katërfishohet në 2029 dhe do t’ju pesëfishohet në janar të 2030”, tha Rama./abcnews.al