Çanta me kokë tigri e djalit të Elon Musk ndez rrjetin/ 10 fishohen shitjet në firmën prodhuese kineze
Një çantë me kokë tigri, e prodhuar në Kinë dhe e mbajtur nga djali i vogël i Elon Musk gjatë vizitës në Pekin, ka ngjallur shumë interes në rrjetet sociale.
X Æ A-Xii, 6 vjeç, u fotografua i veshur me një xhaketë mëndafshi në stil kinez dhe duke mbajtur një çantë shpine ngjyrë kafe me fytyrë tigri, gjatë vizitës në “Great Hall of the People” së bashku me të atin.
Fotografia u bë shpejt virale në rrjetet sociale kineze.
Elon Musk ishte pjesë e një delegacioni që shoqëronte Presidentin amerikan Donald Trump gjatë vizitës së tij në Pekin, e cila përfundoi të premten, 15 maj.
Mediat kineze raportojnë se çanta është prodhuar nga kompania Yaxiaoqi Handmade, me bazë në provincën Guangxi në jug të Kinës.
Pas publikimit të fotos, produkti u shit plotësisht në platformën online Taobao brenda një nate, ndërsa tani është i disponueshëm vetëm për porosi paraprake me çmim rreth 50 dollarë.
Kompania tha se ka shitur mbi 10 herë më shumë se zakonisht brenda një dite, ndërsa një transmetim live për promovimin e produktit ka tërhequr qindra shikues. Disa prej tyre i kanë sugjeruar kompanisë të “përfitojë nga vala virale”. Dyqani i saj në platformë tashmë ka mbi 390 mijë ndjekës.

