Kryeministri në detyrë Kurti priti në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Në nisje të takimit, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme, si dy shtete të të njëjtit komb. Kësisoj, ai shtoi se bashkërendimi dhe bashkëveprimi nuk janë zgjedhje, por detyrë kombëtare.
Kryeministri në detyrë Kurti foli për marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, si dhe për Sekretariatin Koordinues Ndërqeveritar. E po ashtu, edhe për thellimin e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm si, diplomacia, energjia dhe infrastruktura hekurudhore.
Krahas marrëdhënieve dypalëshe, kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e bashkërendimit dhe bashkëveprimit në politikën e jashtme dhe proceset për integrimin euro-atlantik të të dyja vendeve. Sikurse edhe për bashkëpunimin rajonal.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:
📍Prishtinë – Takim i hapur, vëllazëror dhe po aq përmbajtësor me #Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.🇦🇱🇽🇰
Analizuam ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe u ndalëm veçanërisht te nevoja për ndërmarrjen e hapave konkretë dhe praktikë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Vlerësuam se niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve politike duhet të shoqërohet me rezultate edhe më të prekshme në fusha me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët tanë.
Në këtë kuadër, theksuam nevojën për të çuar përpara projekte me rëndësi strategjike dhe kombëtare, duke filluar nga #Hekurudha Kuq e Zi dhe zhvillimi i korridoreve energjetike e të transportit, deri te forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në arsim, kulturë, shkencë, siguri, mbrojtje dhe diplomaci.
Riafirmova mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të Shqipërisë për Republikën e #Kosovës në çdo aspekt që kontribuon në forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, institucioneve dhe subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
#Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë krah #Kosovës, me përkushtim, solidaritet dhe vizion afatgjatë, si në planin dypalësh ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke mbështetur përpjekjet e saj për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit në interesin e drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve të saj, një investim i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në mbarë rajonin e #BallkanitPerëndimor.
#Bashkë
#KrahpërKrah🤝

