RajoniTop Lajme

Rama: Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, janë shtetformues në tokën e tyre

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të diel lidhur me protestën që po zhvillohet prej 21 ditësh në Tiranë, duke ndarë në rrjetet sociale postimin e profesoreshës Arta Toçi.
Në reagimin e tij, Rama thekson se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë, pasi sipas tij ata janë popull shtetformues në vendin e tyre, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre të pavarur.
Kreu i qeverisë kritikoi ata që, sipas tij, po paraqiten në protestë si “diasporë” nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke pretenduar se përdorimi i simboleve kombëtare në këtë kontekst i shërben një qëllimi politik dhe dëmton imazhin e shqiptarëve në rajon.
Rama ngriti gjithashtu akuza ndaj organizatorëve dhe mbështetësve të protestës, duke deklaruar se po shpenzohen fonde për transportimin e protestuesve drejt Tiranës, ndërsa shtoi se këto veprime nuk ndikojnë në mandatin e qeverisë së tij.
Në reagim, kryeministri shprehu kundërshtimin edhe ndaj përdorimit të flamurit të UÇK-së në protestë, duke e cilësuar këtë si një keqpërdorim të simbolikës së luftës çlirimtare për qëllime politike.
Në fund të mesazhit, Rama kërkoi që emri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të mos lidhet me zhvillimet e protestës në Tiranë. Ai u shpreh se nuk e konsideron Kurtin përgjegjës për individë apo grupe të caktuara që kanë marrë pjesë në aktivitetet protestuese, duke shtuar se një interpretim i tillë do të ishte i gabuar.
Reagimi i kryeministrit vjen ndërsa protesta në Tiranë vijon prej tre javësh, mes përplasjesh të forta politike dhe akuzave të ndërsjella mes mazhorancës dhe opozitës.