“Safe City” ka regjistruar 33.722 shkelje nga automjetet me targa të huaja, MPB: Paguan gjobën, pastaj hyn në shtet
Për tre muaj sistemi “Safe City” ka regjistruar 33.722 shkelje nga ana e automjeteve me targa të huaja. Ministria e Brendshme sqaron për Alsat se më së shumti shkelje janë regjistruar në muajin maj 11.258. ndërsa më së paku në shkurt 4.301.
Ministria e Brendshme ende nuk posedon me të dhëna se sa prej këtyre gjobave janë paguar, ndërsa nuk sqarojnë nëse kanë bazë të të dhënave me emrat e shkelësve, meqenëse sistemi “Safe City” identifikon vetëm targat e makinës, jo identitetin e shoferëve. Megjithatë, në rastin kur zyrtarët e pikave kufitare konstatojnë se një shtetas i huaj ka kryer shkelje paraprakisht, ai nuk do të lejohet të futet në shtet, pa e paguar gjobën.
“Shtetasit e huaj gjatë hyrjes në shtet nëse kanë shkelje paraprake në trafikun e territorit të shtetit tonë, i njëjti nuk është rregulluar, pra nuk e kanë paguar gjobën, të njëjtit duhet t’i paguajnë përpara se të hyjnë në shtet. Në periudhën e ardhshme pritet që të vendoset sistem për evidentimin dhe pagesën e sanksioneve të paguara dhe të papaguara, të kryera nga automjetet me targa të huaja gjatë hyrjes dhe daljes së tyre në pikat kufitare”, thonë për Alsat nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së për shkeljet në trafik të detektuara nga “Safe City”, shtetasit e huaj informohen gjatë hyrjes ose daljes nga kufiri, ndërsa u ofrohet trajtim i njëjtë për të paguar gjobën ashtu sikur shtetasve të Maqedonisë së Veriut. Nëse e shlyejnë brenda 8 ditësh, do të paguajnë gjysmën e gjobës dhe atë mund ta bëjnë në bankë ose postë.
Safe City që nga 1 shkurti është aktiv në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, ndërsa paralajmërohet të zgjerohet në mbarë vendin. Në muajin maj nga kamerat e Safe City, në total janë regjistruar rreth 29 mijë shkelje, ndërsa janë caktuar rreth 17 mijë gjoba. /Alsat.mk

