Thellohet debati në LDK pas rezultatit zgjedhor
Disa degë të LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Prishtinë kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku pas rezultateve zgjedhore, duke theksuar nevojën për përgjegjësi politike dhe reformim të brendshëm, ndërsa në parti ka nisur debat i gjerë me qëndrime të ndara, pro dhe kundër kësaj kërkese.
Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se asgjë s’ka ndryshuar, dhe se sipas shkrimit të tij në Facebook, Vjosa Osmani mbetet e nominuar për presidente të vendit nga radhët e LDK-së. Haziri ka thënë tutje se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt.
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë dhe ajo në Lipjan kanë kërkuar zyrtarisht dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Pas mbledhjeve të kryesive përkatëse dhe analizës së rezultateve zgjedhore, të dy degët kanë vlerësuar se lidershipi duhet të marrë përgjegjësi politike për rezultatin e arritur.
Në njoftimin e Degës së Pejës thuhet se dorëheqja duhet të vijë si akt moral dhe politik, ndërsa Dega e Lipjanit thekson nevojën për reflektim, reformim dhe riorganizim të partisë.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili vjen nga radhët e LDK-së, të martën nuk ishte i qasshëm për media.
Ndërkaq nga Dega e LDK-së në Pejë për RTK-në foli anëtari i kryesisë së kësaj dege, Faik Zeka, i cili rikonfirmoi kërkesën e LDK-së në Pejë për dorëheqjen e kreut të partisë.
Thirrjeve për dorëheqje iu bashkua edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë. Në reagimin e saj thuhet se Lumir Abdixhikut i janë dhënë mundësi të mjaftueshme për ta rikthyer partinë në rrugën e fitores, por rezultatet kanë munguar.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, reagoi duke falënderuar strukturat dhe aktivistët e partisë për mbështetjen e shprehur ndaj tij.
Në një mesazh publik, ai tha se mesazhet e mbështetjes nga degët dhe veprimtarët janë dëshmi e përkushtimit ndaj misionit politik të LDK-së.
Po ashtu, Abdixhiku kritikoi drejtuesit e degëve në Pejë dhe Lipjan, Gazmend Muhaxherin dhe Imri Ahmetin, duke i akuzuar për mungesë angazhimi për një rezultat më të mirë zgjedhor.
Debati i brendshëm ka nxitur reagime të shumta nga zyrtarët e partisë.
Deputetja e zgjedhur, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja më e mirë për situatën aktuale, duke theksuar se parimi i përgjegjësisë duhet të vlejë për të gjithë.
Në anën tjetër, Anton Quni, ka kërkuar afrim mes të gjitha figurave kryesore të partisë. Thirrje për bashkëpunim dhe pajtim ka bërë deputetja Doarsa Kica-Xhelili, duke theksuar se reflektimi duhet të shërbejë për bashkim dhe jo për përçarje.
Ndërsa deputeti Fadil Hadergjonaj ka vlerësuar se LDK-ja ka nevojë për reflektim të thellë, maturi dhe përgjegjësi, duke paralajmëruar se partia nuk ka luksin të merret me përçarje të brendshme.
Në mbështetje të Abdixhikut kanë dalë edhe disa drejtues të degëve.
Kryetari i Degës së LDK-së në Klinë, Alban Rraci, i ka cilësuar kërkesat për dorëheqje si joetike dhe proceduralisht të papranueshme, ndërsa nënkryetari i partisë dhe kryetari i Degës në Ferizaj, Visar Azemi, ka deklaruar se secili zyrtar duhet fillimisht të japë llogari për rezultatin në degën që drejton./RTK

