Trump thotë se Izraeli dhe Hezbollahu ranë dakord të ndalojnë “të gjitha të shtënat”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se “të gjitha të shtënat” midis Izraelit dhe Hezbollahut do të ndalen pas një serie telefonatash që përfshinin të dyja palët, transmeton Anadolu.
Trump tha në platformën e tij Truth Social se pati “një telefonatë shumë produktive” me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe mori siguri se Tel Avivi nuk do të dërgojë trupa në kryeqytetin libanez Bejrut.
“Nuk do të ketë trupa që do të shkojnë në Bejrut dhe çdo trupë që është në rrugë është kthyer tashmë”, tha Trump.
Presidenti i SHBA-së tha se nëpërmjet ndërmjetësve të lartë, ai kishte komunikuar me Hezbollahun dhe kishte siguruar një angazhim për të ndaluar armiqësitë.
“Po kështu, nëpërmjet përfaqësuesve të lartë, pata një telefonatë shumë të mirë me Hezbollahun dhe ata ranë dakord që të gjitha të shtënat do të ndalen – që Izraeli nuk do t’i sulmojë ata dhe ata nuk do ta sulmojnë Izraelin”, shtoi ai.

