RajoniTop Lajme

Kurti: Gjenocidi në Srebrenicë është e vërtetë historike, juridike dhe njerëzore

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sonte në akademinë përkujtimore për shënimin e 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, të mbajtur në Institutin e Historisë në Prishtinë, transmeton albazone media.

Në fjalimin e tij, Kurti e cilësoi gjenocidin në Srebrenicë si një të vërtetë historike, juridike dhe njerëzore që nuk mund të mohohet apo relativizohet, duke theksuar se kujtesa për këtë krim mbetet një paralajmërim i përhershëm kundër urrejtjes, mohimit dhe politikave të spastrimit etnik.

Sonte, në Institutin e Historisë në Prishtinë, përkujtuam gjenocidin në Srebrenicë.
Fjala ime e plotë:
Sot kujtojmë Srebrenicën. Kujtojmë 11 korrikun e vitit 1995, ditën që mbetet e gdhendur në ndërgjegjen e Evropës si dëshmi e një krimi të kryer kundër një populli, kundër dinjitetit njerëzor dhe kundër vetë mundësisë së bashkëjetesës. Përkulemi para plagës që i përket Bosnje dhe Hercegovinës, por që flet për ndërgjegjen e mbarë njerëzimit.
Në Srebrenicë u krye gjenocid. Kjo është e vërteta historike, juridike dhe njerëzore. Nuk është çështje mendimi dhe as temë që mund të zbutet me gjuhë diplomatike. Ajo që ndodhi është vërtetuar nga drejtësia ndërkombëtare, përfshirë aktgjykimet kundër Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit, si udhëheqës politikë dhe ushtarakë të një projekti kriminal. Srebrenica ishte kulmi i dhunës sistematike të Serbisë dhe të strukturave të saj politike, ushtarake dhe policore ndaj boshnjakëve, një dhunë që kishte për qëllim spastrimin etnik dhe shkatërrimin e një populli në vendin e vet.
Në korrik të vitit 1995, shënjestër nuk ishin vetëm jetët e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë. Shënjestër ishte vazhdimësia e një populli. Shënjestër ishte mundësia e tij për të jetuar i lirë, për të qenë zot në tokën e vet, për të pasur shtëpi, kujtesë, besim dhe të ardhme. Gjenocidi është pikërisht ky sulm i skajshëm: sulm ndaj së drejtës së një populli për të ekzistuar.
Krimet e mëdha nuk fillojnë ditën kur kryhen. Ato nisin më herët, në gjuhë, në propagandë, në përjashtim, në mësimin e shoqërisë që tjetrin ta shohë si diçka më pak se njeri. Para se të hapen varret, hapet rruga drejt tyre. Para se të organizohet dhuna, organizohet urrejtja. Prandaj Srebrenica nuk është vetëm kujtim i një tragjedie të së kaluarës; ajo është paralajmërim i përhershëm për çdo shoqëri që lejon që çnjerëzimi të shndërrohet në politikë.
Ky paralajmërim sot ka rëndësi të veçantë. E keqja politike rrallëherë kthehet me të njëjtën uniformë dhe me të njëjtin fjalor. Ajo mëson të maskohet. Herë paraqitet si shqetësim për sigurinë, herë si debat për rendin, herë si nevojë për stabilitet, e herë si mbrojtje e interesit kombëtar. Kur në thelb të saj qëndron mohimi i tjetrit, kur njeriu trajtohet si pengesë demografike, kur një popull paraqitet si problem që duhet larguar, fjalët e reja vetëm mbulojnë rrezikun e vjetër.
Për këtë arsye, shoqëritë demokratike duhet të jenë të përgatitura institucionalisht, moralisht dhe politikisht. Ato duhet ta njohin gjuhën që i paraprin dhunës. Duhet të dallojnë veprimet që paketohen ndryshe, por mbajnë të njëjtën logjikë të spastrimit etnik, nënshtrimit dhe zhdukjes së tjetrit. Gjenocidi nuk bëhet i mundur vetëm kur harrohet historia. Ai bëhet i mundur edhe kur historia relativizohet.
Populli boshnjak ka treguar dinjitet të jashtëzakonshëm. Pas humbjes së madhe, nuk e dorëzoi të vërtetën. Pas padrejtësisë, nuk hoqi dorë nga drejtësia. Pas përpjekjes për shfarosje, vazhdoi me këmbëngulje ta kërkojë lirinë e vet. Nuk lejoi që mbijetesa të mbetej vetëm plagë. E shndërroi kujtesën në kërkesë për drejtësi, dhimbjen në dëshmi dhe humbjen në qëndresë. Në atë qëndresë ka madhështi morale, vullnet për jetë dhe besim se liria nuk është dhuratë e historisë, por e drejtë që fitohet, ruhet dhe mbrohet.
Mohimi i gjenocidit nuk është qëndrim politik dhe as dallim interpretimesh. Ai është sulm ndaj faktit, drejtësisë dhe mundësisë së paqes së qëndrueshme. Gjenocidi në Srebrenicë vazhdon të mohohet, ndonëse është vërtetuar nga gjykatat ndërkombëtare, ndonëse autorët kryesorë janë dënuar, ndonëse provat janë dokumentuar dhe emrat e viktimave qëndrojnë në Potoçari. Kur mohohet një krim i tillë, nuk vihet në dyshim vetëm e kaluara; përgatitet terreni që e njëjta logjikë të rikthehet me një gjuhë tjetër politike. Mohimi i largon autorët nga përgjegjësia, i detyron viktimat të dëshmojnë pafund dhimbjen e tyre dhe e paraqet drejtësinë si pengesë për stabilitetin. Në të vërtetë, stabiliteti rrezikohet pikërisht atëherë kur krimi nuk emërtohet dhe kur shoqëritë nuk distancohen nga ata që kanë vrarë në emrin e tyre.
Përgjegjësia e Serbisë ndaj Srebrenicës nuk mund të mbyllet me heshtje dhe as të zëvendësohet me një gjuhë të përgjithshme pajtimi. Gjenocidi nuk ishte një devijim i rastësishëm i historisë, por pasojë e një politike që e shndërroi dominimin në projekt, propagandën në përgatitje për dhunë dhe aparatin shtetëror në instrument të spastrimit etnik. Aktgjykimet ndaj udhëheqësve politikë dhe ushtarakë e vendosën përgjegjësinë penale aty ku i takon, por pa një distancim të qartë institucional dhe shoqëror nga ideologjia që e bëri të mundur krimin, drejtësia mbetet e paplotë dhe paqja mbetet e brishtë.
Serbia nuk e çliron veten duke e mohuar Srebrenicën. Mohimi nuk e mbron as shtetin nga përgjegjësia zyrtare dhe as popullin nga përgjegjësia kolektive; përkundrazi, ai e mban shoqërinë peng të një trashëgimie që duhet pranuar për t’u kapërcyer. Pranimi i së vërtetës nuk është poshtërim, ndërsa pendimi nuk është dobësi. Ato janë kusht për pjekurinë shtetërore, përgjegjësinë morale dhe fqinjësinë që nuk ndërtohet mbi frikën, por mbi pranimin e krimit, respektin për viktimat dhe garancinë se një politikë e tillë nuk do të përsëritet më kurrë.
Kërkimi i së vërtetës mbetet detyrë e pandërprerë. Pasi u janë marrë jetët dhe prania e më të dashurve, mohimi përpiqet t’u marrë viktimave edhe kuptimin e asaj që ka ndodhur. Përpiqet që krimi të mbetet pa emër, autori pa përgjegjësi dhe viktima pa të vërtetë publike. Potoçarët i kundërvihen kësaj çdo ditë. Ata nuk janë vetëm vend varrimi, por vend dëshmie. Atje çdo emër e rrëzon mohimin dhe çdo varr e rikthen historinë e përgjegjësisë.
Nënat e Srebrenicës e mbajnë këtë të vërtetë mbi supet e tyre tash e tri dekada. Ato kanë kërkuar drejtësi pa e humbur dinjitetin, kanë dëshmuar pa e braktisur njerëzinë dhe i kanë hapur dyert e Potoçarëve kujtdo që vjen me respekt, pendim të sinqertë dhe gatishmëri për ta pranuar të vërtetën. Dora e tyre e shtrirë nuk është shenjë harrese. Ajo është thirrje për pendim, jo leje për mohim.
Ne në Kosovë e njohim logjikën e spastrimit etnik, dëbimeve, varrezave masive dhe personave të zhdukur me dhunë. E njohim edhe synimin gjenocidal të Serbisë. Prandaj solidariteti ynë me Srebrenicën dhe me popullin boshnjak nuk është formalitet protokollar. Ai buron nga afërsia e përvojës dhe nga bindja se liria e një populli nuk mund të matet pa sakrificën që ai ka bërë për të. Kosova i bën nderim Srebrenicës për ta vendosur të vërtetën dhe drejtësinë në anën e atyre që ishin shënjestër e shfarosjes, por që vazhduan të qëndrojnë.
Sot, në emër të Republikës së Kosovës, u bëjmë nderim të vrarëve në Srebrenicë. U bëjmë nderim familjeve të tyre. U bëjmë nderim popullit boshnjak për dinjitetin, qëndresën dhe vullnetin e tij për liri. U bëjmë nderim të drejtës së tij për të jetuar i lirë, i barabartë dhe i sigurt në vendin e vet.
Le të mbetet Srebrenica në kujtesën tonë si emër i së vërtetës që nuk shuhet. Si thirrje për drejtësi që nuk vjetrohet. Si dëshmi se një popull mund të plagoset rëndë, por nuk mund të mposhtet kur vazhdon të qëndrojë mbi dinjitetin e vet.
Faleminderit.