Kurti pas takimit me Abdixhikun: Ende nuk kemi ndonjë të arritur, jam optimist për rrugën përpara
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka “ndonjë të arritur” që ia vlen të ndahet, raporton Ekonomia Online.
Megjithatë, ai tha se palët ishin të interesuara për marrëveshje që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje.
“I kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur të cilën do të mund ta ndanim këtu me ju. Unë jam optimist”, tha Kurti.
Kurti tha se janë diskutuar disa çështje si Qeveria, Kuvendi dhe zgjedhja e presidentit.
“Kemi diskutuar edhe për qeverinë, edhe për kuvendin, kemi diskutuar edhe për presidentin për shkak se tash po koincidojnë në të njëjtën kohë. Por po e ritheksoj edhe njëherë që fokusi ynë ka qenë më shumë zhvillimet aktuale politike, orari i konstituimit të institucioneve dhe zhvillimet të cilat po ndodhin në Kosovë, në dritën e këtij rezultati që kemi pasur. Ne jemi të interesuar për marrëveshje, jemi të interesuar që mos kemi sërish zgjedhje. E kemi thënë edhe më herët që mbajtja e zgjedhjeve është veçse rimbajtje e zgjedhjeve që çon në përafërsisht ripërsëritje të rezultatit, andaj synimi ynë i përbashkët është që t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Ekziston një gatishmëri e interesim e vullnet për këtë gjë, por natyrisht ky është vetëm se kushti i domosdoshëm, por jo edhe i mjaftueshëm për të thënë që kemi kurorëzuar me sukses. Marrëveshja që e synojmë ne natyrisht që është marrëveshje politike, sepse ne jemi subjekte politike, dhe marrëveshjen politike ne e shohim si suplement funksional të vullnetit të popullit, përkatësisht të rezultatit të zgjedhjeve”, tha Kurti.
Kurti pas takimit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza: Për postin e Presidentit duhet një figurë konsensuale, apartiake dhe me vlera kombëtare e profesionale
Zyra e Kryeministrit ka lajmëruar për takimin që pati kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sot paradite.ZKM tha se ky takim erdhi në kuadër të konsultimeve me partitë politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.Më pas Zyra e Kurtit ndau pak nga deklarimet e tij që dha për gazetarët pas takimit me Hamzën, duke i veçuar disa nga mesazhet që ZKM i zgjodhi si më kryesoret.“Pas takimit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti ka deklaruar se diskutimi me kryetarin e PDK-së ishte konstruktiv ndonëse nuk pati rezultat konkret. “Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotëroj edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera konstruktive duhet të vazhdoj të mbizotërojë”, ka thënë ai.Më pas ZKM ndau pjesën ku Kurti i prezantoi kriteret e Vetëvendosjes për Presidentin.“Kryeministri Kurti ka deklaruar po ashtu se “për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë”, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale, të mos jetë i asnjë partie dhe dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit”.Në kuadër të konsultimeve, kryeministri në detyrë Kurti pasdite do të takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përfundoi njoftimin Zyra e Kryeministrit.

