MaqedoniTop Lajme

PUBLIKOHET PATENTA E PARË NDËRKOMBËTARE E UNT-SË

Shpërndaje

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup njofton se aplikimi për patentë i inovacionit teknologjik “NET-SENTINEL” është publikuar zyrtarisht më 21 gusht 2026 në Indi, me numër aplikimi 202641095582 A.

Aplikues dhe autori i parë shpikës i sistemit është Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji nga Fakulteti i Shkencave Informatike në UNT. Në ekipin e shpikësve marrin pjesë edhe Suplar Kanti Podder, Gurunath R, Irsa Doci dhe Debabrata Samantha.

“NET-SENTINEL” është një shtojcë funksionale e inteligjencës artificiale për shfletuesin Google Chrome, e zhvilluar sipas standardit Manifest V3 për të ritur nivelin e sigurisë kibernetike. Sistemi përdor mësimin makinerik për të analizuar aktivitetin e rrjetit, për të mësuar modelet normale të përdorimit dhe për të identifikuar në kohë reale sjellje të pazakonta ose lidhje të dyshimta.

Zgjidhja kombinon një detektor statistikor adaptiv me një model kompakt Isolation Forest. Ajo gjeneron paralajmërime të shpjegueshme, përshtat pragun e zbulimit sipas sjelljes së përdoruesit dhe i ruan të dhënat lokalisht në pajisje.

Ky publikim paraqet një rezultat të rëndësishëm në veprimtarinë shkencore të Prof. Dr. Bekim Fetajit dhe për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup për kërkim, inovacion, inteligjencë artificiale dhe siguri kibernetike.

UNT përgëzon Prof. Dr. Bekim Fetaji dhe ekipin e shpikësve për këtë arritje shkencore dhe teknologjike.