Skandal i ri: 4 me 1 për korridorin 10d, korridori 8 po sakrifikohet për zgjedhje?
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën se si po zhvillohen punimet në projektin e Korridoreve 8 dhe 10D, duke pretenduar se prioriteti është zhvendosur në favor të segmentit Prilep–Manastir.
Sipas BDI-së, kjo po bëhet për arsye elektorale, me synimin që Korridori 10D të përfundojë para zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa paralajmëron se çdo vonesë e qëllimshme e Korridorit 8, i cili konsiderohet korridor strategjik i NATO-s, ngre pikëpyetje serioze dhe kërkon transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse.
Reagimi i plotë:
Informacionet e reja që po dalin për projektin më të madh infrastrukturor në vend, Korridoret 8 dhe 10D, janë jashtëzakonisht alarmante.
Sipas informacioneve që disponojmë, në terren po punohet me raport pothuajse 4 me 1 në favor të Korridorit 10D, Prilep–Manastir, ndërsa mekanizimi, fuqia punëtore dhe dinamika e realizimit janë zhvendosur në dëm të Korridorit 8.
Të dyja segmentet janë pjesë e të njëjtit projekt që ne e siguruam me Bechtel-Enka. Sot Qeveria po e ndryshon në praktikë prioritetin e projektit.
Përshkak të urdhrit politik që Korridori 10D të përfundojë deri në zgjedhjet e ardhshme në pranverë, që pushteti ta përdorë si projekt elektoral.
Nëse kjo konfirmohet, kemi të bëjmë me një skandal të rëndë: para, punëtorë dhe mekanizim të një projekti shtetëror po orientohen sipas kalendarit zgjedhor të partive në pushtet.
Por çështja është edhe më serioze.
Korridori 8 është korridor strategjik i NATO-s, pjesë e lidhjes lindje–perëndim nga Adriatiku drejt Detit të Zi dhe krahut juglindor të Aleancës. Çdo vonesë e qëllimshme e këtij korridori ka pasoja që shkojnë shumë përtej politikës së brendshme.
Prandaj pyetja që tash duhet të marrë përgjigje është:
A kemi vetëm keqpërdorim elektoral të një projekti prej miliarda eurosh, apo dikush po ngadalëson qëllimisht korridorin strategjik të NATO-s?
Kush përfiton nga dobësimi i Korridorit 8?
Sepse në një kohë kur Rusia ka interes të drejtpërdrejtë që infrastruktura e NATO-s në rajon të ecë sa më ngadalë, çdo vendim politik që e shtyn këtë projekt duhet të shihet me seriozitet maksimal.
Kërkojmë transparencë të menjëhershme: sa punëtorë, sa mekanizim dhe sa mjete financiare janë angazhuar aktualisht në Korridorin 10D dhe sa në Korridorin 8? Kush e ka marrë vendimin për këtë raport dhe me çfarë arsyetimi?
Këto përgjigje nuk mund të fshihen deri pas zgjedhjeve.

