A mund t’i lirojë Apeli sikurse në rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina dhe sa mund të zgjas?
Pas dënimit të sotëm të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë, vëmendja kalon tërësisht te Paneli i Apelit.
Në historinë e drejtësisë ndërkombëtare penale, rasti më i njohur i përmbysjes së një dënimi të tillë mbetet ai i gjeneralit kroat Ante Gotovina.
Trupi Gjykues shpalli fajtorë katër të akuzuarit për krime lufte, ndërsa i shpalli të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit, duke i dënuar, Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimin 13 vjet burgim.
Precedenti Ante Gotovina: Sa zgjati dhe si u përmbys?
Paralelja më e shpeshtë që sillet me Hagën lidhet me procesin e gjeneralit kroat Ante Gotovina para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në dënimin në Shkallë të Parë (15 prill 2011), Gotovina u dënua me 24 vjet burgim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë operacionit “Stuhia” (Oluja).
Kohëzgjatja e Apelit
Nga shpallja e dënimit e deri te vendimi përfundimtar kaluan saktësisht 1 vit e 7 muaj (19 muaj).
Në aktgjykimin e Apelit (16 nëntor 2012), paneli i Apelit e shpalli Gotovinën plotësisht të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij.
Vendimi u mor me një shumicë të ngushtë votash, 3 me 2, ku gjyqtarët e Apelit konstatuan gabime thelbësore në standardet që Shkalla e Parë kishte përdorur për të provuar fajësinë e tij.
Rruga dhe afatet që e presin mbrojtjen e UÇK-së në Apel
Procesi i ankesës në Dhomat e Specializuara ndjek disa faza dhe afate të përcaktuara me rregullore.
Tridhjetë ditë është afati nga marrja e aktgjykimit të plotë me shkrim, kohë kur mbrojtja dhe prokuroria duhet të dorëzojnë njoftimin për ankesë.
Më pas duhen gjashtëdhjetë ditë që të dorëzohet dosja e plotë me të gjitha argumentet me shkrim.
Më pas vijnë seancat dëgjimore ku paneli i Apelit i përbërë nga tre gjyqtarë cakton seancën ku dëgjohen gojarisht palët. Apeli nuk rishqyrton dëshmitarët nga e para, por shqyrton vetëm gabimet në zbatimin e ligjit ose gabimet e rënda faktike.
Për shkak të vëllimit të dosjes, vendimi i prerë i Apelit mund të zgjas deri në 2 vjet./Periskopi

