Dogana ndalon tetë iPhone 18 të padeklaruar në Aeroportin e Prishtinës
Dogana e Kosovës ka ndaluar tetë telefona të mençur iPhone 18, me vlerë rreth 15 mijë euro, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi ata nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve rutinore dhe të bazuara në analizën e rrezikut ndaj udhëtarëve, Dogana ka ndaluar për kontroll një udhëtar i cili po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.
Pas kalimit të bagazhit nëpër skaner dhe bazuar në dyshimet e zyrtarit doganor, është kryer ekzaminimi fizik i bagazhit të udhëtarit.
“Gjatë ekzaminimit janë gjetur 8 (tetë) telefona të mençur të markës iPhone 18, të cilët nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore. Vlera e përgjithshme e këtyre mallrave është rreth 15,000 euro”, thuhet në njoftim.
Dogana ka bërë të ditur se mallrat janë ndaluar, ndërsa rasti është proceduar për vazhdimin e procedurave doganore.
“Mallrat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës dhe rasti është proceduar për vazhdimin e procedurave doganore, përfshirë përcaktimin e statusit doganor dhe detyrimeve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas Kodit Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, mallrat e bartura nga udhëtarët duhet të deklarohen kur janë mbi kufijtë e lejuar ose kur kanë natyrë tregtare.
“Përfitimi nga lirimi për bagazhin personal vlen vetëm për importe që nuk kanë natyrë tregtare; ndërsa natyra dhe sasia e mallrave janë ndër elementet që merren parasysh në përcaktimin e karakterit jo-tregtar të importit”, thuhet në njoftim.
“Dogana e Kosovës vazhdon kontrollet e rregullta në pikat e kalimit kufitar, me qëllim të parandalimit të shkeljeve doganore, mbrojtjes së interesave financiare të Republikës së Kosovës dhe sigurimit të zbatimit të njëtrajtshëm të legjislacionit doganor”, thuhet në fund të njoftimit.

