Kurti: Qeveria do të angazhohet për korrigjimin e verdiktit të Hagës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Qeveria e Kosovës do të ofrojë mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e apelimit ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Kurti, përmes një statusi të publikuar gjatë qëndrimit të tij në SHBA, ka thënë se Qeveria është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet që i ka në dispozicion për, siç është shprehur ai, korrigjimin e verdiktit të shkallës së parë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së”, ka shkruar Kurti.
Ai e ka cilësuar verdiktin si “të padrejtë juridikisht dhe moralisht” dhe “të pasaktë historikisht dhe faktikisht”.
Sipas Kurtit, nevojitet një dakordim për një strategji shtetërore lidhur me reagimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.
“Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se Kosova do të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë në këtë drejtim, duke paralajmëruar angazhim edhe në planin diplomatik.
“Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërprerë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë”, ka shkruar Kurti.
Në të njëjtin status, kryeministri ka thënë se institucionet e Kosovës do të angazhohen edhe për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë”, ka shkruar ai.
Deklaratat e Kurtit vijnë pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Aktgjykimi i shkallës së parë i nënshtrohet procesit të apelimit.

