Mexhiti: Të bashkohemi për procesin gjyqësor në Apel, lufta juridike për ish-krerët e UÇK-së nuk ka përfunduar
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë thirrje për unitet të faktorit politik shqiptar në të gjitha trevat, me qëllim që të mbështetet procesi i apelimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Mexhiti tha se vendimi i shkallës së parë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së është pritur me indinjatë, duke theksuar se tashmë duhet të tejkalohen dallimet politike dhe të bashkohen forcat për procesin në Gjykatën e Apelit.
“Vendimin për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së e kemi marrë me indinjatë. Por, është një moment ku duhet t’i tejkalojmë dallimet si subjekte politike dhe gjithandej ku jemi të bëhemi bashkë për procesin në Gjykatën e Apelit”, është shprehur Mexhiti.
Ai ka theksuar se beteja juridike nuk ka përfunduar me vendimin e shkallës së parë, duke bërë thirrje që të gjitha forcat të angazhohen në procesin e apelimit.
“Me të gjitha forcat duhet ta fitojmë betejën e dytë, pra nuk e kemi humbur luftën. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Kombëtare është pjesa më e lavdishme e shqiptarëve në Maqedoni dhe Kosovë, e gjithandej”, ka deklaruar Mexhiti.

