Skandal me patentat në Maqedoni: 27 të dyshuar, punonjësja e MPB-së falsifikonte kategoritë
Një skandal i madh me patentë-shoferët ka çuar në procedura penale ndaj 27 personave, mes tyre edhe një punonjëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, punonjësja dyshohet se për rreth gjashtë vite ka keqpërdorur autorizimet dhe kodin e saj zyrtar për të ndryshuar në mënyrë të paligjshme të dhënat në sistemin elektronik dhe për t’u shtuar qytetarëve kategori drejtimi për të cilat nuk kishin dhënë provim.
Hetimi ka zbuluar se kategori të paligjshme janë futur në patentat e 21 personave, ndërsa në një rast veprimi ka mbetur në tentativë.
Katër persona dyshohet se kanë shërbyer si ndërmjetës, duke gjetur klientët dhe duke i lidhur me punonjësen e MPB-së.
Për punonjësen ekzistojnë dyshime për 22 vepra penale të falsifikimit të dokumenteve, si dhe një rast në tentativë. Ajo kishte edhe një rast të mëparshëm për keqpërdorime në procedurat e dokumenteve personale; ishte larguar nga puna në vitin 2021, por ishte rikthyer në vitin 2025 me vendim gjykate.
Gjashtë persona dyshohet se i kanë përdorur patentat e falsifikuara në kalimet kufitare, ndërsa dy prej tyre edhe për sigurimin e certifikatave profesionale për transport ndërkombëtar.
Prokuroria ka kërkuar paraburgim për punonjësen e MPB-së dhe dy persona të tjerë, ndërsa për 17 të dyshuar janë propozuar masa kujdesi. Shtatë persona janë ende të pakapshëm për organet e ndjekjes.
Hetimi vazhdon për të zbuluar nëse në skemë janë përfshirë edhe persona të tjerë.

