Mexhiti uron Presidenten e re të Kosovës: Zgjedhja e saj nderon gjithë botën akademike
BashkëKryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka uruar Presidenten e re të Kosovës, akademiken Justina Shiroka-Pulën, duke e vlerësuar zgjedhjen e saj si një hap të rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe politik të vendit.
Mexhiti ka theksuar se Shiroka-Pulën e njeh për kontributin e saj intelektual dhe veprat në fushën e ekonomisë.
“Është një intelektuale e dëshmuar, dhe zgjedhja e saj nderon jo vetëm institucionin e Presidentit, por gjithë botën akademike”, ka shkruar Mexhiti.
Sipas tij, zgjedhja e Shiroka-Pulës përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e stabilitetit institucional dhe politik të Kosovës, si dhe për një frymë të re përgjegjësie në një periudhë sfiduese për vendin.
Duke iu referuar edhe procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, Mexhiti ka thënë se bëhet fjalë për një periudhë të vështirë për Kosovën.
Ai ka vlerësuar gjithashtu konsensusin politik të arritur, duke e cilësuar atë si dëshmi të pjekurisë politike dhe vizionit për tejkalimin e ngërçeve institucionale.
“Për këtë, përgëzime për kryeministrin Albin Kurti për maturinë dhe përgjegjësinë e treguar në këtë moment të rëndësishëm”, ka shkruar Mexhiti.
Në fund, ai ka theksuar se Kosovës i nevojiten institucione të forta, stabilitet dhe unitet politik.
“Urime Kosovë!”, përfundon mesazhi i Mexhitit.

