Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula mori pjesë në shënimin e 17-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sot në shënimin e 17-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese.
Në fjalën e saj para të pranishmëve Presidentja Shiroka Pula ka thënë se një demokraci dëshmon forcën e saj jo vetëm përmes institucioneve që ndërton, por edhe përmes kufijve që pushteti pranon të respektojë, e që sipas saj, Kushtetuta i përcakton këta kufij.
“Ajo garanton se askush nuk është mbi ligjin, se pushteti nuk është i pakufizuar dhe se të drejtat dhe liritë e qytetarëve nuk varen nga vullneti i atyre që ushtrojnë autoritetin publik”, u shpreh Presidentja Shiroka Pula.
Prandaj, sipas Presidentes, pavarësia e gjykatave kushtetuese nuk është vetëm një parim juridik, ajo është një garanci themelore e demokracisë, e sundimit të ligjit dhe e besimit të qytetarëve se Kushtetuta do të mbrohet në praktikë, në çdo rrethanë dhe pa përjashtim.
“Kam kënaqësinë t’ju drejtohem në këtë konferencë ndërkombëtare, e cila na bashkon rreth një çështjeje thelbësore për çdo shtet demokratik: rolin e gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e Kushtetutës, të drejtave themelore dhe ekuilibrit ndërmjet institucioneve”, theksoi Presidentja Shiroka Pula.
Presidentja Shiroka Pula më tej tha se gjykatat kushtetuese kanë një përgjegjësi të veçantë në arkitekturën demokratike të shtetit.
“Ato sigurojnë që Kushtetuta të mos mbetet vetëm në dokumentet thelbësore, por të jetë autoriteti më i lartë juridik, të cilit i nënshtrohen të gjitha institucionet. Përmes vendimeve të tyre, ato mbrojnë të drejtat themelore, përcaktojnë kufijtë e kompetencave dhe garantojnë respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve”, ka pohuar presidentja Shiroka Pula.
Sipas saj, ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm në kohë krizash politike, kur presioni mbi institucionet rritet dhe kur respektimi i parimeve kushtetuese vihet në sprovë.
“Pikërisht në këto momente dëshmohet rëndësia e gjykatave të pavarura: ato garantojnë që ushtrimi i pushtetit të mbetet brenda kufijve të Kushtetutës”, ka thënë Presidentja.
Ajo më tej tha se për Kosovën, si shtet i ri, Gjykata Kushtetuese ka një rëndësi të veçantë.
“Gjatë 17 vjetëve të veprimtarisë së saj, ajo ka kontribuar në interpretimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës, në zgjidhjen e çështjeve kushtetuese dhe në përcaktimin e kufijve të kompetencave institucionale. Përmes vendimeve të saj, ajo ka ndihmuar në zhvillimin e rendit tonë kushtetues dhe në afirmimin e një parimi themelor: asnjë institucion nuk mund të veprojë përtej kompetencave që i përcakton Kushtetuta”, është shprehur Presidentja Shiroka Pula.
Më tej Presidentja Shiroka Pula tha se në Kosovë është krijuar një standard i çmueshëm demokratik: vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen dhe nuk personalizohen, pavarësisht efekteve të tyre politike, e që sipas saj, ky standard dëshmon pjekurinë institucionale dhe përkushtimin ndaj sundimit të ligjit.
“Demokracia nuk kërkon vetëm që institucionet të ushtrojnë kompetencat e tyre, por edhe që të njohin e të respektojnë kufijtë e këtyre kompetencave. Pranimi i kontrollit kushtetues nuk e dobëson pushtetin demokratik; përkundrazi, i jep atij legjitimitet dhe qëndrueshmëri. Pjekuria demokratike dëshmohet jo vetëm kur pajtohemi me një vendim, por sidomos kur e respektojmë atë edhe atëherë kur nuk përputhet me interesat apo pritshmëritë tona”, ka theksuar Presidentja.
Për këtë arsye, shtoi ajo, mbrojtja e Kushtetutës është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve.
“Pavarësia e gjykatave kushtetuese duhet të shoqërohet me respektimin e vendimeve të tyre, me përgjegjësi institucionale dhe me një kulturë demokratike që e vendos autoritetin e Kushtetutës mbi interesat e çastit. Në këtë kontekst, shkëmbimi i përvojave ndërmjet gjykatave kushtetuese të vendeve tona ka rëndësi të veçantë. Përvoja e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, e gjykatave të tjera evropiane dhe ekspertiza e Komisionit të Venecias përbëjnë një mundësi të çmuar për të diskutuar sfidat e përbashkëta, për të thelluar dialogun juridik dhe për të forcuar standardet e mbrojtjes së rendit kushtetues”, ka pohuar Presidentja Shiroka Pula.
Ajo më tej tha se përvojat tona mund të ndryshojnë, por parimet që na bashkojnë janë të njëjta: pavarësia e gjyqësorit, mbrojtja e të drejtave themelore, ndarja e pushteteve dhe respektimi i Kushtetutës, duke shtuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona na ndihmon t’i mbrojmë këto parime dhe t’i forcojmë themelet e demokracisë evropiane.
“Sundimi i ligjit nuk matet vetëm me cilësinë e normave që miratojmë, por edhe me gatishmërinë për t’i zbatuar ato në mënyrë të barabartë. Të drejtat themelore nuk mbrohen vetëm duke i shpallur ato, por duke garantuar se çdo gjyqtarë mund t’i ushtrojë realisht. Po kështu, ndarja e pushteteve nuk garantohet vetëm përmes dispozitave kushtetuese, por përmes respektimit të tyre në praktikë”, theksoi Presidentja.
Ajo tha se Kushtetuta duhet të qëndrojë mbi çdo interes të pushtetit, ndërsa pavarësia e gjykatave kushtetuese duhet të mbrohet si kusht i domosdoshëm për demokracinë dhe lirinë e qytetarëve.
“Në fund, forca e një demokracie nuk matet me mungesën e kufijve të pushtetit, por me gatishmërinë për t’i respektuar ata. Kur Kushtetuta është mbi pushtetin, të drejtat e qytetarëve janë më të sigurta. Kur institucionet i nënshtrohen Kushtetutës, demokracia është më e fortë”, tha Presidentja Shiroka Pula.

