Protestat në Europë, reagon Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut
Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në disa vende të Europës gjatë javëve të fundit, duke u bërë thirrje autoriteteve të angazhohen në dialog me protestuesit dhe të adresojnë shqetësimet e tyre.
Përmes një reagimi, Türk dënoi aktet e dhunës dhe kërkoi uljen e tensioneve, duke theksuar se dialogu gjithëpërfshirës dhe i sigurt është rruga për të ecur përpara.
“Dënoj të gjitha aktet e dhunës dhe u bëj thirrje të gjithë të përfshirëve të ulin tensionet dhe të parandalojnë dhunën e mëtejshme. Rruga më e mirë dhe e vetme përpara është dialogu gjithëpërfshirës dhe i sigurt”, u shpreh ai.
Zyrtari i OKB-së nënvizoi veçanërisht rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në bisedime kuptimplota dhe konstruktive, si dhe nevojën për masa konkrete që u japin përgjigje shqetësimeve të qytetarëve.
Sipas Türk, çështjet që kërkojnë vëmendje përfshijnë arsimin, shërbimet publike, strehimin, rritjen e kostos së jetesës dhe pabarazinë.
Ai theksoi se shtetet duhet të trajtojnë shqetësimet që lidhen me të drejtat themelore të njeriut, duke e konsideruar dialogun një element kyç për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.

