MaqedoniTop Lajme

VLEN: Për herë të parë, biblioteka e Tetovës merr status universitar, vendim me propozim të ministrit Sulejmani

Shpërndaje

Biblioteka “Koço Racin” në Tetovë për herë të parë do të funksionojë edhe si bibliotekë universitare, pas miratimit të vendimit për zgjerimin e veprimtarisë së saj, njofton VLEN.

Sipas njoftimit, vendimi u miratua me propozim të ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, me qëllim zgjerimin e mundësive për studim dhe hulumtim shkencor.

Me statusin e ri, studentët, profesorët dhe hulumtuesit do të kenë mundësi më të mëdha për shfrytëzimin e literaturës dhe shërbimeve të bibliotekës, për përgatitjen e provimeve, punimin e temave të diplomës dhe realizimin e projekteve kërkimore.

Nga VLEN theksojnë se biblioteka do të vazhdojë t’u shërbejë edhe qytetarëve, ndërsa këtë vendim e cilësojnë si një hap në mbështetje të arsimit, zhvillimit akademik dhe të rinjve në vend.

Postimi nga Ministri Sulejmani:
Tetova me Bibliotekë Universitare – më shumë mundësi për studentët dhe botën akademike!
Me gëzim të veçantë ndaj lajmin se në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua vendimi për zgjerimin e veprimtarisë së IN Bibliotekës “Koço Racin” – Tetovë dhe shndërrimin e saj në IN Bibliotekë Universitare “Koço Racin” – Tetovë.
Ky vendim hap perspektivë të re për studentët, profesorët dhe hulumtuesit, duke i dhënë këtij institucioni nacional rol më të gjerë në mbështetjen e arsimit të lartë dhe shkencës. Është hap i rëndësishëm që forcon Tetovën si qendër universitare dhe i jep shtysë zhvillimit të shërbimeve bibliotekare.
Jam i lumtur që me vendime konkrete krijojmë mundësi të reja për dijen dhe zhvillimin. Investimi në dije është investim në të ardhmen e brezave që vijnë!