Gjoba të reja nga “Safe City”: Kamerat do të regjistrojnë edhe parkimin dhe ndalimin e paligjshëm
Sistemi “Qyteti i Sigurt“ (Safe city) së shpejti do të marrë një funksion të ri me të cilin do të regjistrojë dhe sanksionojë parkimin dhe ndalimin e paligjshëm në bulevardet dhe udhëkryqet kryesore në të gjithë vendin.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se kontrollet e reja pritet të fillojnë të zbatohen deri në fund të vitit 2026.
Fillimisht, fokusi do të jetë në rrugët më të ngarkuara në Shkup, por kontrollet do të zgjerohen edhe në qytete të tjera. Deri më tani ka pasur një problem teknik me njohjen automatike të shkeljeve, veçanërisht në kushte të ngarkesës në trafik, kur sistemi e kishte të vështirë të dallonte një automjet të ndaluar në kolonë nga një automjet që kishte ndaluar në mënyrë të paligjshme.
Njoftime përmes SMS-ve dhe postës elektronike
Toshkovski njoftoi se gjatë muajit deri në një muaj e gjysmë të ardhshëm pritet të fillojë dërgimi i njoftimeve për shoferët përmes mesazheve SMS ose postës elektronike. Funksioni i ri duhet të mundësojë regjistrimin automatik të automjeteve që ndalojnë ose parkojnë në mënyrë të paligjshme në rrugë.
Nga Ministria njoftojnë se sistemi do të sanksionojë vetëm atëherë kur të mund të konstatohet pa asnjë dyshim se është bërë shkelje. Qëllimi është të shmangen gjobat e padrejta për shoferët që janë gjendur në bllokim trafiku dhe nuk mund të vazhdojnë lëvizjen.

