Rama pranon Raportin: Shqipëria po hyn në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian
Shqipëria ka përpara një vit vendimtar në rrugën drejt Bashkimit Europian. Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar udhërrëfyesit orientues të paraqitur për herë të parë nga Komisioni Europian, e cilësoi objektivin e anëtarësimit ambicioz, por të arritshëm.
Rama paralajmëroi se kjo mundësi historike nuk është e përhershme dhe se përgjegjësia kryesore për ta shfrytëzuar i takon shumicës qeverisëse. Ai u zotua se do të bëjë gjithçka që Shqipëria të mos humbasë këtë shans historik.
“Dua të ndalem te një risi merëndësi për herë të parë ka paraqitur udhërrëfyesin orientues. Për Shqipërinë, ky udhërrëfyes përcakton etapat dhe objektivat e punës për vitin sfidues që kemi përpara. Komisoni e konsideron objektivin tonë si ambicioz por të arritshëm dhe ky është një vlerësim tejet rëndësishëm. Nuk përcakton një datë anëtarësimi se nuk paracakton dot as rezultatin e negociatave por na tregom centimetër për centimetër kilometrin e fundit të rrugës për këtë mision kombëtar. Koha merr cdo ditë më shumë rëndësi mbi këtë objektiv. Këtë duhet ta kuptojnë ata që janë në vijën e parë të këtij procesi në radhë të parë, dhe para të gjithëve shumica qeverisëse. Mundësia që kemi sot është unikale, historike dhe nuk është aty si një e dhënë e palëvizshme një herë e përgjithmonë. Historia nuk do na e falte kurrë bjerrjen e kësaj mundësie për shkakun tonë. Do bëj cmos të ndodhë e kundërta e fatkeqësisë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka patur mundësi të ngjitet lart. Dhe që askush dhe asgjë të mos e vër në pikëpyetje këtë mundësi histori historike për ‘mustaqet e asnjë Çeloje’” u shpreh Rama.
“Sot i prezantova Kryeministrit Edi Rama raportin e zgjerimit të vitit 2026 për Shqipërinë.
Mesazhi i raportit është i thjeshtë: Shqipëria ka bërë përpara. Rruga që mbetet është sfiduese, por objektivi është i arritshëm. Dialogu dhe themelet e forta do të jenë vendimtare për ta arritur atë.
Siç u shpreh sot Kryeministri, problemet reale nuk duhet të na pengojnë të shohim progresin e vërtetë, ashtu siç progresi i vërtetë nuk duhet të na bëjë të mbyllim sytë përballë problemeve reale.
Reformat nuk bëhen për Brukselin. Ato bëhen për shqiptarët. BE-ja qëndron krah tyre në rrugën drejt anëtarësimit në bashkimin më të madh të demokracive në botë”, Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa 🇪🇺🇦🇱
🔗 Lexoni deklaratën e plotë për shtyp këtu: https://www.eeas.europa.eu/…/deklarata-shtyp-e…
Deklarata për shtyp e Ambasadores së Bashkimit Evropian Sofia Moreira De Sosa pasi i paraqiti KM Edi Rama Raportin e Zgjerimit 2026 për Shqipërinë
Dje, Komisioni Evropian miratoi raportin e tij vjetor për Shqipërinë dhe unë sapo ia dorëzova atë Kryeministrit. Sot ia dorëzova Presidentit dhe do t’ia dorëzoj edhe Parlamentit. Në ditët në vijim, ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, shoqërisë civile dhe bizneseve. Raporti është publik, që të mund ta lexojnë të gjithë shqiptarët.
Mesazhi i tij është i thjeshtë. Shqipëria ka ecur përpara.
Kryeministër, kjo pasqyron një punë vërtet të palodhur nga qeveria juaj dhe ekipi juaj negociator, si dhe një angazhim të qëndrueshëm ndaj rrugës drejt BE-së. Të gjitha kapitujt negociues janë hapur dhe katër prej tyre janë mbyllur përkohësisht.
Vazhdimi në këtë rrugë kërkon përpjekje të mëtejshme.
Lidhur me drejtësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar, raporti shënon përparim të mirë. SPAK-u ka vazhduar të tregojë pavarësi dhe të japë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Kjo përpjekje duhet të vazhdojë, pasi korrupsioni mbetet një sfidë e vërtetë. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të vazhdohet puna edhe për parandalimin e tij.
Çdo reformë dhe nismë ligjore e ardhshme duhet të mbështetet mbi reformën në drejtësi të vitit 2016 për të ruajtur dhe rritur më tej funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë.
Lidhur me demokracinë, raporti thekson një klimë thellësisht të polarizuar, mbikëqyrje të kufizuar parlamentare të qeverisë dhe mungesë të konsultimeve domethënëse publike. Reforma zgjedhore është urgjente për të trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Kjo kërkon një proces gjithëpërfshirës, përtej dy partive kryesore që kanë përfaqësim të barabartë në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.
Sa u përket të drejtave themelore, ligjet e reja për barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave janë hapa vërtet pozitivë. Tani, kuadri ligjor për t’i mbrojtur këto dhe gjithë të drejtat themelore duhet zbatuar në praktikë.
Sa i përket lirisë së medias, shpifja është dekriminalizuar pjesërisht. Një hap në drejtimin e duhur, por jo i mjaftueshëm. Financimi i medias mbetet i paqartë. Një reformë gjithëpërfshirëse e medias për të trajtuar gjithë mangësitë e identifikuara është ende në pritje. Raportet për përdorim joproporcional të forcës nga policia kundër gazetarëve duhen trajtuar si përparësi.
Sa i përket mjedisit, progresi ka qenë i kufizuar. Raporti konstaton se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe shtesat e përsëritura të ligjit për investimet strategjike kanë çuar në një përkeqësim të mbrojtjes së natyrës. Dispozitat e papajtueshme duhen shfuqizuar dhe projektet e mëdha, përfshirë atë të planifikuar në Zvërnec, do të maten me standardet e BE-së.
Dhe ishin pikërisht shqetësimet mjedisore ato që shkaktuan demonstratat paqësore që filluan në fund të majit. Protesta më pas u zhvillua në një lëvizje më të gjerë që bënte thirrje për transparencë, llogaridhënie, përpjekje kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë.
Protesta paqësore është pjesë e jetës demokratike. Dhuna nuk ka vend në të dhe çdo përgjigje ndaj dhunës duhet të mbetet proporcionale dhe e ligjshme. Ankesat duhen zgjidhur përmes dialogut të vërtetë dhe është detyrë e institucioneve demokratike të ofrojnë një hapësirë që ky dialog të ndodhë.
Dje, Shqipëria mori edhe një udhërrëfyes për anëtarësimin. Ai nuk vendos kushte të reja dhe nuk ofron rrugë të shkurtra. Ai pasqyron qëllimin e vetë Shqipërisë për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2027, dhe ky synim varet nga reformat dhe rezultatet. Shpejtësia nuk mund të vijë në kurriz të cilësisë dhe përfshirjes, kështu që reformat kanë nevojë për konsultim të vërtetë dhe debat të hapur në Parlament, çka është përgjegjësi e të gjitha forcave politike në Shqipëri.
Aspirata për t’u anëtarësuar në BE është një zgjedhje që e kanë bërë shqiptarët dhe u përket të gjithëve: qeverisë, opozitës, shoqërisë civile dhe komuniteteve vendore.
Në fund të fundit, këto reforma nuk kanë për qëllim t’i pëlqejnë Brukselit, por synojnë të ndërtojnë një shoqëri të fortë, gjithëpërfshirëse dhe demokratike, e cila është gati t’i bashkohet Unionit më të madh të demokracive në botë.
Do të doja ta përfundoja siç e nisa. Shqipëria ka ecur përpara, por ende nuk jemi në fund të rrugës. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë çdo hap përgjatë rrugës.

