Vuçiç paralajmëron dorëheqje: Do largohem nga lidershipi i partisë pas zgjedhjeve!
Zgjedhjet e 3 prillit në Serbi do e sjellin të paktën një ndryshim që përpara se të mbahen: presidenti Aleksandar Vucic, kandidat i Partisë Përparimtare Serbe, SNS, njoftoi se do të japë dorëheqjen nga drejtimi i kësaj force politike.
Vuçiç: Unë do të jem aty gjatë zgjedhjeve, e me siguri do të ndikoj, aq sa është e mundur, në imazhin e ekzekutivit. Pas kësaj, do të largohem nga lidershipi i partisë. Dhjetë vjet në krye të saj, janë një periudhë e gjatë, gjatë së cilës sidoqoftë SNS-ja nuk ka humbur askund.
Vuçiç i hodhi poshtë pretendimet se Beogradi do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale që mbahen në një ditë. “Nuk e kam thënë kurrë një gjë të tillë. Kam biseduar me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në prani të njëzet personave, por ajo nuk ka dëgjuar këtë nga unë. Janë njëzet dëshmitarë, dhjetë nga Gjermania dhe dhjetë nga ana jonë.
Unë kam thënë saktësisht këtë: Nuk ju ofroj garanci për sanksione, pikë; ndërsa për paqen në Ballkan, sa i përket Serbisë, unë ju ofroj garanci”, është shprehur presidenti serb, i cituar nga REL. Serbia është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës në 24 shkurt, një pozicion ky që nuk përputhet me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për Rusinë. Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të mbajtur më 2 mars megjithatë, ajo iu bashkua dënimit të pushtimit rus të Ukrainës.