Elmi Aziri: “20%-shi” ofendues për shqiptarët, gjuha shqipe duhet të figurojë në Kushtetutë
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Elmi Aziri, thotë se termi “20%” që ju referohet shqiptarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është nënçmues dhe ofendues. Në një prononcim për gazetën LAJM, ai tha se ky term duhet të largohet dhe në vend të tij, në Kushtetutë duhet të figurojë gjuha shqipe.
“Aleanca për Shqiptarët ka kohë që merret me këtë problematikë dhe që në fillim ka kundërshtuar këtë definicion. Neve na ka ardhur mirë si shenjë e reflektimit të gjitha subjekteve tjera që edhe ato nuk janë pajtuar me përkufizime numerike, me përkufizime të për qindjeve. Mendojmë që në momentin që vjen dita, ata do të jenë konformë deklaratave që i kanë dhënë sepse ky definicion është definicion që është bartur nga një periudhë tjetër, nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene kur ka qenë. Është ofenduese, është nënçmuese dhe sigurisht që ne nuk pajtohemi me të dhe sigurisht që do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme, ligjore, parlamentare që një gjë e tillë të shmanget dhe në Kushtetutë dhe gjitha dokumentet të figurojë si gjuha shqipe”, tha Elmi Aziri.