Snopçe: Prokuroria me standarde të dyfishta për dy raste të njëta, lehtësim për sulmuesit e hendbollistit (Video)
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, në një dekalratë për media, kanë folur për vdekjen e hendbollistit kroat, Denis Tot.
Reagimi i plotë:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë,
Jemi këtu sot për të denoncuar edhe një skandal mjaft të rëndë të drejtësisë në vend që lidhet me vrasjen mizore të hendbollistit kroat. Fatkeqësisht, tentativat për të mbrojtur sulmuesit, filluan me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) fillimisht duke mohuar se ka pasur dhunë, е tani vazhdojnë me prokurorinë duke ua zbutur veprën penale dhe për pasojë edhe dënimin që duhet të marrin sulmuesit. E dini të gjithë se në drejtësi një rol të rëndësishëm luan praktika gjyqësore, si mekanizëm për të krahasuar cilësinë e drejtësisë.
Tragjedia e fundit është e ngjashme me atë të të riut, Nikolla Sazdovski. Edhe sipas përshkrimit të lëndës nga ana e prokurorisë, vërehet se dy rastet ja identike, dhunë fizike, goditje të kokës në send të fortë që ka sjellë pasojë vdekjen e kështu me radhë. Por, në mes dy rasteve ka një dallim të madh. Në rastin e Sazdovskit prokuroria ngriti padi për vepër penale vrasje sipas nenit 123, pika 2, paragrafi 1, ku parashihet dënim minimal prej 10 vite burg ose burg të përjetshëm dhe epilogun e dini të gjithë. Në rastin e fundit e njëjta prokurori, veprën e ka kualifikuar në bazë të nenit 123, por pika 1 ku dënimi është përgjysëm më i ulët dhe parashihet të paktën 5 vite burg.
Pyesim prokurorinë çfarë ndryshoi në këto dy raste kur të gjitha rrethanat dhe veprimet janë të njëjta? Mos vallë jeta e një të riu kroat është më pak e vlefshme sesa jeta e një të riu maqedonas!? Apo ndoshta ndryshon fakti se në rastin e fundit sulmuesit ishin maqedonas dhe në rastin e Sazdovskit sulmuesit ishin shqiptarë!?
Të nderuar qytetarë, kjo është ajo drejtësia e dyfishtë në vendin tonë, e zbatojnë prokuroria dhe gjyqësia e partizuar dhe korruptuar, që qytetarëve u sjell padrejtësi dhe ua cënon perspektivën. Këtu buron edhe vetoja reale për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, ku nuk pranohen vende me drejtësi të dyfishtë dhe që bëjnë dallime dhe diskriminime edhe në tragjedi të këtilla.