Shaqiri: Nxënësit të kthehen në shkolla! Kërkesa për rritje të pagave në arsim është legjitime

Shpërndaje

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri në konferencën e sotme për shtyp i bëri thirrje Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Arsimit që të ndërpresin grevën me qëllim që nxënësit të kthehen në shkollë, përcjell TV21. Shaqiri tha se për këtë do iu drejtohet edhe me shkresë mësimdhënësve dhe SAShK-ut.

“Prioriteti im për momentin, personalisht për mua si ministër, por besoj për shumë të tjerë. Veçanërisht për familjet e nxënësve është rikthimi i tyre në shkollë. Ne nuk kemi nevojë thënë në një formë tjetër për luks të tillë, nga i cili humbës më të mëdhenj do të jenë nxënësit nga mungesa e mësimeve të tyre. Interesi i tyre më i mirë është që ata t’i kthehen mësimdhënies në shkolla”, theksoi Shaqiri.

Shaqiri tha se Qeveria është e angazhuar për rritje të pagave, por që ajo mos të kushtëzohet me grevë.

“Kërkesa për rritjen e pagave të mësuesve është legjitime. Paga më të larta do të ketë. Ky është një angazhim i Qeverisë, dhe për këtë arsye në fillim të muajit të kaluar u rrit paga minimale e cila do të harmonizohet me të gjitha pagat tjera, duke përfshirë edhe ato në arsim, përveç kësaj do të ketë rritje edhe në një përqindje të caktuar, gjë për të cilën jemi duke negocuar tashmë”, tha mes tjerash Shaqiri.