Maqedoni

Pendarovski: Nuk mund ta hapim Kushtetutën sipas nevojës “çdo të hënë”

Shpërndaje

Ngjarja me hapjen e klubit “Vanço Mihajlov” është kontroverse për dy arsye kryesore – emri i klubit dhe struktura e delegacionit bullgar që erdhi në Manastir, vlerëson presidenti i vendit Stevo Pendarovski në paraqitjen e djeshme në emisionin “Rruga drejt” në televizionin Alsat, transmeton Portalb.mk.

“Për këndvështrimit tim, dy momente janë të diskutueshme. Së pari emri, para së gjithash emri, më duhet ta them se këtu faji është i institucioneve tona që kanë regjistruar një institucion në fushën e kulturës me një emër të tillë. E meta e dytë, sipas meje, është struktura e delegacionit të ardhur nga Bullgaria… nëse në ekip ka një Karakaçanov apo një Zaharieva, që janë arkitektët e kësaj mosmarrëveshjeje, të kësaj bllokade nga Bullgaria… mendoj se qëllimi i mirë i Petkovit me vetë përbërjen e delegacionit dhe me hyrjen në objektin që mban emrin e bashkëpunëtorit të dëshmuar të fashistëve, më shumë është minuar apo minimizuar”, tha Pendarovski.

Duke folur për kërkesat për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë, Pendarovski tha se për këtë çështje mund të diskutohet, por nuk ka garanci se ndonjë qeveri e ardhshme në Sofje do të ketë kërkesa të tjera ndaj nesh.

“Askush nuk mund të garantojë se sa gjatë do të qëndrojë në pushtet struktura aktuale politike në Bullgari dhe çfarë kërkesash mund të ketë nga ne. Pakkush do të konfirmojë se qeveria e Petkovit mund të zgjasë 7-8 vjet, deri në hyrjen tonë formale në BE. Nga kush të kërkojmë garanci të tilla. Kjo është politika. Qeveria e ardhshme do të thotë – këtë që ka firmosur qeveria e paraprake ishin tradhtarë të çështjes sonë, neve nuk na intereson. Dhe? Nuk mund ta hapim Kushtetutën sipas nevojës çdo të hënë”, tha Pendarovski.

Sipas tij, ka pasur një kthesë në kërkesat e Sofjes për integrimin tonë në BE. Bullgaria, për t’i dhënë dritën jeshile kornizës negociuese, më parë insistonte në marrjen e plotë të historiografisë bullgare në tekstet shkollore maqedonase dhe pajtimi që gjuha maqedonase të ishte dialekt i bullgarishtes deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

“Duke kuptuar që nuk funksionon, thjesht nuk është histori evropiane, nuk është një argument evropian, nuk është një argument për Evropën, nuk është argument për një debat demokratik, ata më pas filluan të flasin për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, si garanci për të drejtat e tyre dhe statusin e tyre këtu në Maqedoninë e Veriut”, tha Pendarovski. Ai theksoi shpjegimin nga MPJ se për momentin me Bullgarinë po diskutohet saktësisht nëse kërkesa për hyrjen e bullgarëve në Kushtetutë do të jetë pjesë e kornizës së negociatave me Brukselin dhe kur do të plotësohet ky kusht.

Shefi i shtetit konsideron se askush në vendin tonë nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por problemi është nëse kjo do të ishte kërkesa e fundit e Sofjes zyrtare, sidomos gjatë negociatave për anëtarësim mes Shkupit dhe Brukselit.

“Për momentin nuk duket kështu, por siguroj se ka një konsensus politik pothuajse 100% mes qeverisë dhe opozitës, të paktën atë që dëgjoj nga deklaratat publike të aktorëve kryesorë, që të përfshihet edhe komuniteti bullgar në Preambulën e Kushtetutës”, tha Pendarovski.

Ai shpreson se mosmarrëveshja me Bullgarinë nuk do të përjetojë një skenar grek pasi do të zgjasë me vite.

Hapja e këtij klubi ë Manastir ka lënkundur shpresat për zgjidhje të ngërçit midis dy vendeve. Kreu i diplomacisë së Maqedonisë Bujar Osmani, vizitën e delegacionit bullgar në Manastir dhe emërtimin e klubit “Ivan Mihajlov”,në Manastir e cilësoi si provokim, nga disa prej tyre. “Mendoj se kemi bërë një vlerësim të mirë, treguam qartë me atë që nuk ishim aty, se është e papranueshme për ne, se kaloi pa incidente dhe të tregojmë se këtu nuk i rrezikohen të drejtat e askujt, tha Osmani.

Emërtimin e Klubit kulturor bullgar në Manastir me emrin “Vanço Mihajllov” provokim të qëllimshëm,e cilësoi edhe Dragi Gjorgiev, bashkëkryesues i komisionit të përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.