BotaTop Lajme

Macron rizgjidhet president i Francës

Shpërndaje

Emmanuel Mackron do jetë presidenti i Francës edhe për 5 vitet e ardhshme. Ai fitoi balotazhin e së dielës, duke mundur me një diferencë të madhe votash rivalen e tij të ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Sondazhet e para pas mbylljes së qendrave të votimit i dhanë Macron 58 përqind të votave, ndërsa Marine Le Pen vetëm 42 përqind.

Brohoritjet e gëzimit shpërthyen ndërsa rezultatet u shfaqën në një ekran gjigant në parkun Champ de Mars në këmbët e kullës Eifel, ku mbështetësit e Macron valëvitnin flamujt francezë dhe të BE-së. E kundërta ndodhi në tubimin e mbështetësve të dëshpëruar të Le Pen, të cilët shpërthyen me brohoritje dhe fishkëllima në një sallë madhe në periferi të Parisit.

Në daljen e tij të parë pas shpalljes së rezultateve paraprake, Macron ndërsa falenderoi francezët për mbështetjen tha se ishte i vetëdijshëm që shumë e votuan për të bllokuar të djathtën ekstreme. Ndaj ai tha se në këtë mandat të dytë do të punonte për të gjithë francezët dhe për të adresuar shqetësimet edhe të atyre që votuan kandidaten kundërshtare.

Le Pen pranoi humbjen, por u zotua të vazhdojë luftën, duke pasur parasysh zgjedhjet parlamentare të qershorit.

“Unë kurrë nuk do t’i braktis francezët,” u tha ajo mbështetësve që brohorisnin “Marine!”

Fitorja për Macron u përshëndet menjëherë nga aleatët dhe drejtuesit e Bashkimit Europian.

“Bravo Emmanuel”, shkroi në Twitter presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel. “Në këtë periudhë të trazuar, ne kemi nevojë për një Evropë solide dhe një Francë plotësisht të përkushtuar ndaj një Bashkimi Evropian më sovran dhe më strategjik.”

Me këtë fitore Macron bëhet presidenti i tretë francez që arrin të rizgjidhet në një mandate të dytë. Megjithatë ai nuk do të ketë shumë kohë për të shijuar fitoren pasi shumë shpejt duhet të mendojë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Politikani francez i ekstremit të majtë Jean-Luc Melenchon tha të dielën në një fjalim pas fitores së Macron se fushata për zgjedhjet legjislative në qershor fillon sonte.

Melenchon, i cili në raundin e dytë u bëri thirrje mbështetësve të tij të votonin Macron u kërkoi francezëve që janë të pakënaqur me sistemin të mos dorëzohen.