BotaTop Lajme

Bie çmimi i naftës në tregjet botërore

Shpërndaje

Në tregjet botërore, çmimet e naftës ranë gati 5 për qind javën e kaluar pasi tregtarët kanë frikë nga dobësimi i kërkesës për shkak të një ngadalësimi të rritjes ekonomike globale dhe rritjes së normave të interesit të FED të SHBA-së për të frenuar inflacionin e lartë.

Çmimi i një fuçie në tregun e Londrës ra me 4.5 për qind javën e kaluar në 106.65 dollarë, ndërsa në tregun amerikan një fuçi ra me 4.6 për qind në 102.07 dollarë.

Rënia e çmimeve vjen si pasojë e shqetësimeve për kërkesën, duke pasur parasysh ngadalësimin e rritjes ekonomike botërore. Javën e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar uli vlerësimin e tij për rritjen ekonomike botërore këtë vit nga 4.4 në 3.6 për qind e mëparshme, duke paralajmëruar se rimëkëmbja nga kriza e koronës kërcënohet nga lufta në Ukrainë dhe inflacioni i lartë.

Për të njëjtat arsye, qeveria gjermane ka njoftuar një ulje të vlerësimit të rritjes ekonomike këtë vit nga 3.6 në 2.2 për qind, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index.

Tregtarët gjithashtu kanë frikë nga kërkesa në Kinë, importuesi më i madh i naftës në botë, pasi Shangai dhe disa qytete të tjera kanë njoftuar një raund të ri masash mbylljeje për shkak të një vale të përhapjes së koronavirusit. Kjo, nga ana tjetër, do të ngadalësojë rritjen tashmë të ngadaltë të ekonomisë së dytë më të madhe në botë.