Arrestohet komandanti i njësisë speciale antiterroriste në Serbi, Igor Zhmiriq
Komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste të Serbisë (SAJ), Igor Zhmiriq (Igor Žmirić), është arrestuar të mërkurën, më 4 nëntor, nën dyshimet për përfshirje në keqtrajtimin dhe torturimin e studentëve gjatë protestave kundër pushtetit në Beograd.
Lajmin e ka raportuar fillimisht portali serb Nova.rs, ndërsa arrestimin e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Zhmiriq është njëri nga nëntë personat e ndaluar në një operacion të zhvilluar nga Sektori i Kontrollit të Brendshëm të Policisë së Serbisë, me urdhër të Prokurorisë së Parë Themelore në Beograd.
Ad Banner
Sipas njoftimit të autoriteteve serbe, tetë nga të arrestuarit janë policë aktivë, ndërsa njëri është ish-pjesëtar i policisë. Të dyshuarve u është caktuar ndalimi deri në 48 orë.
Hetimet lidhen me ngjarjet e natës ndërmjet 14 dhe 15 gushtit të vitit 2025, kur disa studentë dhe qytetarë u ndaluan gjatë protestave në kryeqytetin serb.
Sipas dyshimeve të prokurorisë, pjesëtarë të Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve (JZO) kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj disa të ndaluarve në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, në rrugën Nemanjina të Beogradit.
Autoritetet dyshojnë se policët kanë përdorur forcë dhe kërcënime për të nxjerrë informacione nga të ndaluarit, për t’i frikësuar dhe për t’i ndëshkuar në mënyrë të paligjshme.
Në mesin e personave që pretendojnë se janë keqtrajtuar ndodhet edhe studentja Nikolina Sinđelić, rasti i së cilës kishte shkaktuar reagime të mëdha në opinionin publik serb.
Gazeta Danas raporton se, përveç Zhmiriqit, është shoqëruar edhe ndihmësi i tij, Goran Filipović.

