“Ecologu” i Lazim Destanit në aksion human, ndihmon qindra familje
Kompania Ecolog e familjes bujare të zotri Lazim Destani vazhdon me traditën e saj duke u dalë në ndihmë familjeve në nevojë në qytetin e Tetovës si dhe në komunat rurale të kësaj ane. Ashtu si çdo vit për dekada me radhë, sot në ambientet e kompanisë Ecolog u dorëzua kontingjenti i parë i ndihmave për familjet në nevojë. Këto ndihma i pranuan personat përgjegjës për t’i shpërndarë pastaj në rajonet përkatëse.
Porosia e përcjellur nga Lazim Destani:
Gëzohem që biznesi ynë familjar na jep mundësinë ta vazhdojmë traditën e nisur dekada më parë duke u dalë në ndihmë familjeve sociale. Sipas programit të përgjithshëm korporativ nga sfera e përgjegjësisë shoqërore, kësaj here kur ndodhemi disa ditë para festës së Bajramit të Madh, radhën e ka përkujdesja ndaj familjeve në nevojë.
Për realizimin e këtij aksioni është angazhuar një ekip pune i ngritur pranë zyrave të kompanisë Ecolog në Tetovë. Ky ekip ka bërë gati mijëra kupona me vlerë, për qindra familje dhe tashmë ua ka dorëzuar zarfet personave përgjegjës për dërgimin e tyre te familjet në këtë qytet si dhe në komunat rurale përreth.
Me këtë rast e falënderoj të gjithë rrjetin e atyre që u angazhuan për shpërndarjen, ndërsa uroj ky donacion të ketë sjellë ngrohtësi dhe gëzim në shtëpitë e këtyre familjeve.