Rektorët ndërrohen, UNT mbetet pa objekt! 7 vjet premtime, punimet nuk shihen askund
Rektorët po ndërrohen, por UNT nuk po bëhet me objekt. Akad.Prof.Dr. Izet Zeqiri erdhi në vend të Azis Pollozhanit, ndërsa pranim-dorëzimi u realizua në ndërtesën e Lidhjes së sindikatave. 7 vjet nga themelimi. Premtime të njëpasnjëshme. Që në vitin 2016 u tha se toka në kazermën Ilinden është ndarë që të jetë në shërbim të këtij universiteti.
“Universitetit Nënë Tereza i është ndarë një tokë tek Kazerma e Ilindenit. Është duke u bërë parapërgatitja për planin, dhe me buxhetin e 2017 besoj që do të fillojnë edhe ndërtimet për këtë objekt“, tha Pishtar Lutfiu, ish-ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ndërsa sot gjatë largimit nga detyra si rektor, Pollozhani njoftoi se përfundimisht kanë arritur ta sigurojnë objektin në fjalë.
“Meqë e morëm tokën dhe objektet nga ushtria tani hapet procesi edhe për të vazhduar konceptin e ndërtimit të kampusit universitar, i cili poashtu ishte bllokuar më parë, për shkak se Qeveria nuk arriti ta shpronësoj tokën në vendin e mëparshëm dhe tani faktikisht edhe ajo punë është xhbllokuar dhe hapet procesi për një kampus të ri universitar të cilin me siguri në vitet e ardhshme qeveria do të ketë mirësinë që ta planifikojë përsëri” tha Prof.Dr. Azis Pollozhani, ish rektor i UNT.
Rektori i ri Zeqiri premton se do të punojë fuqishëm që kjo të bëhet realitet.
“Prioritet i jonë është që kazerma Ilinden të krijohet dhe të bëhet universitet i Nënë Terezës, kampusi me të gjitha kushtet që i takojnë një universiteti dhe ne do të punojmë fuqishëm që kjo të realizohet” tha Akad.Prof.Dr. Izet Zeqiri, rektor i UNT.
Punët ndërtimore do të nisin që këtë vit thotë i pari i Arsimit Jeton Shaqiri, edhe pse nuk tregoi se sa mjete janë ndarë për këtë.
“Së shpejti do të pritet që të kompletohen gjatë vitit 2022 procedurat administrative dhe të fillojmë me ndërtimin e kampusit të Universitetit Nënë Tereza. Është çështje muajsh, çështje javëshpor gjatë këtij viti besoj se do të fillojë”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ndryshe studentët ligjëratat i mbajnë në hapësirat e ndërtesës së Lidhjes së sindikatave dhe në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit”./TV21