Grubi: Kosova duhet të jetë pjesë e “Open Ballkan” sepse tash është vetë e katërta
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka folur rreth zgjedhjes së Dritan Abazoviqit si kryeministër i Malit të Zi.
Grubi u shpreh i lumtur me zgjedhjen e Abazoviqit si kryeministër, teksa shtoi se punën do ta ketë të vështirë, por me energjinë e tij ai do të sjellë rezultate të mira.
Ai më tej tha se kryeministri shqiptar në krye të Malit të Zi, ka bindje plotësisht të njëjta me ato të Prishtinës zyrtare, Tiranës e Shkupit zyrtar.
“Bindjet e tij politike dhe ideali i tij janë në tërësi të përputhshme me të mijat, Ramës e Kurtit dhe shpresoj se bashkërisht do të bëjmë përpjekje që ta integrojmë të gjithë rajonin në NATO e BE”, është shprehur Grubi në Klan Kosova.
Sa i përket nismave rajonale, siç është “Open Ballkan”, Grubi tha se Kosova duhet të jetë gjithmonë protagoniste në çdo tavolinë, sepse sipas tij, asnjëherë nuk është e vetme, por vetë e katërta.
“Kosova duhet të jetë protagoniste në çdo tavolinë ku flitet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, sepse Kosova asnjëherë nuk është e vetme dhe e theksova se Kosova është vetë e treta e tash vetë e katërta në çdo forum rajonal, qoftë ai “Open Ballkan”, qoftë Procesi i Berlinit apo çfarëdo formati tjetër”, është shprehur Grubi.
Kurse, sa i përket çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Grubi tha se kjo e fundit e ka me patjetër ta bëjë një gjë të tillë.