Rriten çmimet e naftës për shkak të propozimit për ndalimin e furnizimeve me gaz rus
Çmimet e naftës kanë shënuar rritje për shkak të propozimit të Komisionit Evropian për ndalimin e naftës ruse deri në fund të vitit, megjithëse rritja më shumë se sa pritej në rezervat e papërpunuara të SHBA-së kufizoi fitimet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent kushtoi 111,16 dollarë për fuçi mëngjesin e sotëm, duke shënuar një rritje prej 0,92 për qind pas mbylljes në ditën e djeshme me 110,14 dollarë për fuçi.
Gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian në Francë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi propozimin për një “ndalim të plotë të importit për të gjithë naftën ruse në tubacione dhe atë të papërpunuar dhe të rafinuar”.
Pas miratimit, ndalimi i naftës së papërpunuar ruse do të hyjë në fuqi gjashtë muaj më vonë dhe do të ndalojë produktet e naftës së rafinuar deri në fund të vitit.
Von der Leyen tha se sanksionet do të “maksimizojnë” presionin ndaj Rusisë dhe vonesa do t’i japë një mundësi bllokut evropian për të “minimizuar dëmin kolateral”.
Vitin e kaluar, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Bashkimi Evropian (BE) importoi rreth 30 për qind të naftës së papërpunuar ruse. Brenda bllokut, Gjermania importoi më së shumti, përkatësisht 555 mijë fuçi në ditë.
Ndërkohë, rritja e stoqeve komerciale të naftës së papërpunuar në SHBA javën e kaluar mbante trajektoret rritëse të çmimeve, duke shkaktuar shqetësime për kërkesën.
Sipas të dhënave të publikuara dje nga Administrata e Informacionit të Energjisë së SHBA-së, stoqet u rritën me 0,3 për qind gjatë javës që përfundoi më 29 prill. Kundrejt pritjeve të tregut për një rënie prej 1.16 milionë fuçi, inventarët u rritën me 1.3 milionë fuçi duke arritur në gjithsej 415.7 milionë fuçi.
Megjithatë, gjatë të njëjtës periudhë inventarët e benzinës ranë me 2.2 milionë fuçi në 228.6 milionë fuçi.
Investitorët tani po monitorojnë takimin e ardhshëm të sotëm të prodhuesve kryesorë të naftës së grupit OPEC+, anëtare e të cilit është edhe Rusia. Grupi pritet që deri në muajin qershor të zgjerojë skemën e tij të prodhimit prej 400 mijë fuçi në ditë.