Maqedoni

Shtrenjtime drastike të karburantëve, Qeveria të pranojë propozimet e ASH-së

Shpërndaje

Sot fatkeqësisht qytetarët, kompanitë e transportit të mallrave dhe shërbimeve, transportit të udhëtarëve e të tjerë, kur të drejtohen drejt pikave të tregtimit me pakicë të karburantëve i pret një befasi e pakëndshme me çmimet e servuara nga kjo qeveri e paaftë dhe zhvatëse. Çmimet e karburantëve sot po tregtohen me çmime shumë të larta e po u afrohen çmimeve para marrjes së masave nga Qeveria për uljen e TVSH nga 18% në 10%.

Pra po shihet qartë që masat e ndërmarra nga qeveria janë gjysmake e nuk janë të mjaftueshme, prandaj sot qytetarët po paguajnë çmime shumë të larta për furnizim me karburant në pompat e benzinës. Kjo situatë po dëshmon se përsëri Qeveria do të duhet të rikthehet në propozimet e Aleancës për Shqiptarët dhe të lejë inatet e tyre politike nga të cilat pësojnë vetëm qytetarët.
Më 08.03.2022, Aleanca për Shqiptarët, duke pasur kujdes dhe duke menduar si gjithmonë për të mirën e portofolin (xhepin) e qytetarëve të këtij vendi, propozoi disa masa konkrete për ndryshimin e TVSH nga 18% në 5%, uljen e akcizës për benzinën nga 22 denarë në 15 denarë ndërsa për dizelin nga 15,50 denarë në 9,00 denarë, ulje në minimumin e mundshëm të marzhës së tregtimit nga ana e operatorëve që tregtojnë me pakicë dhe si masë e fundit të shihet mundësia që të ketë ngrirje të vlerës së TVSH dhe akcizës në nivelet e një limiti maksimal.
Por kjo qeveri e paaftë dhe jo përgjegjëse, në të shumtën e rasteve edhe joprofesionale e inatçore, nuk i morri parasysh propozimet tona, por realiteti tregoi se parashikimet e ASH janë të argumentuara e të bazuara në fakte. Prandaj Qeveria duhet një orë e më parë të ulet e ti shqyrtojë propozimet e Aleancës për Shqiptarët, pasi në tregjet botërore të karburantëve parashikohet rritje e mëtejshme e çmimit të arit të zi dhe me akcizat e taksat aktuale, çmimet me pakicë rrezikojnë të rriten edhe më shumë se që janë aktualisht.