MaqedoniTop Lajme

ASH: Dëftesat elektronike vetëm maqedonisht, shqiptarët detyrohen të paguajnë

Shpërndaje

Aleanca për Shqiptarët uron nxënësit dhe mësimdhënësit për mbarimin e vitit shkollor. Por, njëkohësisht reagon lidhur me sfidat që i presin arsimtarët lidhur me plotësimin e dëftesave në mënyrë elektronike ku ata ndeshen me probleme të formave të ndryshme. Në njërën anë, prindërit të cilët me të drejtë ankohen se përse duhet të paguajnë nga 80 denarë për mbushjen e dëftesave, ku sipas ligjit nuk duhet, nga ana tjetër MASh-i nuk i realizon detyrimet. Edhe pse në ditarin elektronik ekziston mundësia për mbushjen e dëftesës, ajo është vetëm në gjuhën maqedone dhe jo edhe në gjuhën shqipe.

Ne si Aleancë pyesim – deri kur arsimtarët shqiptarë do të diskriminohen dhe degradohen si të paaftë dhe do të detyrohen të kërkojnë para nga nxënësit ose të paguajnë vetë për mbushjen e dëftesave, ndërsa arsimtarët maqedonas vetëm me shtypjen e sustës “print” (shtyp) u shtypet dëftesa?

Derisa ishte ministre zonja Carovska edhe mund të pritej një gjë e tillë, por kur ministri dhe zëvendësi janë shqiptarë kjo s’do asnjë koment më tepër.

Nëse ankoheni se nuk keni ekspertë nga lëmia e IT-së ose përkthyes, si gjithmonë do t’ju ndihmojmë me ekspertët tonë, por pranoni se nuk jeni të aftë të menaxhoni dhe ta implementoni gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare për të cilën edhe ashtu mezi ju bindëm të votoni kur ne e kushtëzuam këtë çështje në Kuvend.