RajoniTop Lajme

Scholz thotë se Kosova i ka plotësuar kushtet për vizat

Shpërndaje

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se Kosova shkon drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian me zgjidhjen e dialogut me Serbinë.

Në konferencë për media në Prishtinë, ai ka thënë se dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën nuk mund të jenë pjesë e BE-së.

“Me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE të çohet përpara. Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse të çojnë në zgjidhje politike. Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën evropiane. Një marrëveshje politike mes dy vendeve është një kusht i rëndësishëm edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë. Marrëveshja duhet të zgjidhë edhe çështjen e Kosovës në fund sepse është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra tjetrën të bëhen pjesë e BE-së. Të dyja palët duhet t’i qasen njëra tjetrës”, ka thënë Scholz.

Scholz tha se Kosova ka shans real për anëtarësim në BE, por se mund të zgjasë. Përmendi rregullat që një shtet duhet t’i ndjekë, duke theksuar sanksionet që shteti që aspiron drejt BE-së duhet t’i pranojë.

“Ne jemi edhe më tej besim që kjo rrugë e nisur drejt BE ka një shans realist. Për dikë kjo rrugë shkon më shpejt e për dikë më ngadalë”.

Kancelari gjerman ka thënë se edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës duhet të shkojë përpara duke shtuar se po angazhohet për këtë.

“Liberalizimi i vizave duhet të shkojë përpara, duhet ta bëjë punën e saj Kosova. Po angazhohemi me partnerë me këmbëngulje”.

“Unë e kam thënë më herët, ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me të gjithë partnerët që edhe ata të binden siç jemi bindur ne”.

Scholz tha tutje se Kosova është një partner i besueshëm dhe se këtë e ka dëshmuar me përgjigjen ndaj agresionit rus në Ukrainë. Kurse, vizita në Kosovë si të parën që nisi për Ballkanin Perëndimor, tha se tregon marrëdhënien e ngushta bilaterale të të dyja shteteve.

Ai shtoi se Procesin e Berlinit do që ta rijetësojë dhe se në vjeshtë ftoi kryeministrin Albin Kurti në konferencë në Berlin.