Nisin hetimet edhe për 44 milionë euro të tjera në emër të autostradës “Arbën Xhaferi”
Një hetim i ri ka nisur për mënyrën se si Ministria e Infrastrukturës ka paguar ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Përveç 53 milionë eurove shtesë, në kohën e Qeverisë Haradinaj, konserciumit “Bechtel Enka” i ishin paguar edhe 44 milionë euro të tjera. Ky hetim ka nisur vetëm pasi KOHA e ka bërë publike aneks-kontratën për pagesën shtesë. Ministri Liburn Aliu ka konfirmuar se është në dijeni për një hetim të tillë.
Proces i ri hetimor ka nisur për pagesat e Ministrisë së Infrastrukturës për konserciumin “Bechtel Enka”, që ka ndërtuar autostradën Prishtinë-Shkup, “Arbën Xhaferi”.
Prokuroria e Shtetit është aktivizuar pas publikimit të hulumtimit të KOHËS, i cili dëshmonte që Ministria e Infrastrukturës përveç 53 milionë eurove shtesë për konserciumin “Bechtel Enka” i ka paguar edhe 44 milionë euro. Burime në këtë institucion, por edhe në Ministrinë e Infrastrukturës kanë konfirmuar fillimin e hetimit. Që dy ditë KOHA u ka dërguar pyetje Prokurorisë së Shtetit, por ata nuk janë përgjigjur.
Jozyrtarisht përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit kanë thënë që tashmë kjo lëndë ka filluar të punohet nga Prokuroria Speciale. Prokurori i rastit nuk është i njëjti me prokurorët që e kanë hetuar rastin e pagesës së 53 milionë eurove, për të cilin rast tashmë ka aktakuzë.
Për këtë çështje është kontaktuar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ai ka konfirmuar se është në dijeni për fillimin e hetimeve por nuk di më shumë së çfarë ka ndodhur. E zyrtarë të administratës së këtij institucioni kanë konfirmuar që tashmë Prokuroria Speciale ua ka marrë gjithë dokumentacionin që ka pasur kjo ministri në lidhje me këtë pagesë.
Në kohën kur Ministria e Infrastrukturës udhëhiqej nga ish-ministri Pal Lekaj, në emër të punëve shtesë “Bechtel Enkas” iu paguan edhe 44.1 milionë euro të tjera.
Një gjë e tillë konfirmohet nga dëshmia e zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Ramë Qupevës dhënë Prokurorisë së Shtetit për aferën e pagesës së 53 milionë eurove. Qupeva është drejtor i Departamentit të infrastrukturës rrugore në Ministri të Infrastrukturës e atëkohë ishte anëtar i Njësisë për Implementimin e projektit.
Në dëshminë e tij dhënë hetuesisë, të cilën e ka KOHA, ai ka folur për këtë pagesë.
Ndonëse kishte deklaruar që kanë paguar edhe 44 milionë euro shtesë, prokurorët e rastit nuk e kishin pyetur me tej për këtë çështje e as nuk e kishin hetuar penalisht së pse kjo pagesë ishte kryer.
Por gjatë hulumtimit KOHA kishte argumentuar që pagesa prej 44 milionë eurove ishte plotësisht e jashtëligjshme. Kjo vërtetohet nga një përgjigje e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Kjo aneks-kontratë që ia kishte garantuar “Bechtel Enkas” 44 milionë euro shtesë, ishte nënshkruar nga ish-sekretari Betim Reçica, po ashtu ishte nënshkruar edhe nga ish-ministri Pal Lekaj e nga zyrtari Ramë Qupeva.
Në këtë aneks-kontratë mungon nënshkrimi i zyrtarit të prokurimit, ani se nënshkrimi i tij përbën kusht ligjor që një kontratë të jetë e ligjshme.
Në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik kanë konfirmuar që nëse kontrata s’e ka nënshkrimin e këtij zyrtari, është e pazbatueshme. Këtë e kanë elaboruar përmes një përgjigjeje të gjatë.