Rama ironizon për çeljen e negociatave: Na ka ardhur në majë të hundës!
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në mbrëmjen falenderuese për delegacionet e mbi 150 vendeve të botës, të cilat e zhvilluan Kongresin Zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes në Shqipëri.
Në fjalën e tij, nuk hezitoi të jepte falënderimet për presidentin Mohammed Hasan Jalood Alshammari dhe zv.presidentin Pirro Dhima ndërsa nuk kurseu sërish një koment për procesin e çeljes së negociatave në BE.
“Na ka ardhur në majë të hundës kjo botë me dyer të mbyllura, me kufij, me viza, certifikata. Këtu gjërat janë të thjeshta, miqtë janë perëndia. Kjo gjë nuk është aspak diçka thjesht poetike, por bazohet tek kushtetuta jonë e parë, kanuni i parë i shqiptarëve”, tha Rama.
Rama shtoi se e kanë të vështirë të mendojnë se është e lehtë për të ardhur në Shqipëri dhe kërkon që të gjithë të ulen me këmbë në tokë e të punojnë fort. Nuk la pa komentuar edhe talentet shqiptare për të cilët ndihet krenar.
“Ju thatë që jemi kërthiza e botës se është e lehtë për të ardhur këtu nga të gjitha anët e globit por është e rrezikshme për ne të mendojmë në këtë mënyrë. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të punojmë fort. Peshëngritësit tanë janë vërtetë frymëzim sepse kanë patur mundësinë të tregonin se dhe nga një vend i vogël dalin talente me punë të madhe e duke punuar fort sepse kjo bën diferencën.
Do dëshiroj t’ju them që ne ndihemi vërtet të nderuar e krenarë që kemi mikpritur dhe është organizuar në Shqipëri ky kongres kaq i madhe i rëndësishëm por kjo nuk do të kishte ndodhur pa presidentin e federatës së peshëngritjes shqiptare”, tha Rama.