Dogana konfiskon mbi 122 mijë euro të padeklaruara tek Dheu i Bardhë
Dogana e Kosovës ka konfiskuar mbi 122 mijë euro të padeklaruara në pikëkalimin kufitar tek Dheu i Bardhë.
Rasti ka ndodhur mëngjesin e sotëm, ku në hyrje të PKK Dheu i Bardhë është paraqitur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj i Republikës së Rumanisë me gjithsejt katër udhëtarë.
Njoftimi i plotë:
Dheu i Bardhë, 29 prill 2026 Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka parandaluar një rast të tentimit të mosdeklarimit të mjeteve monetare në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Rreth orës 09:15, në hyrje të PKK Dheu i Bardhë është paraqitur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj i Republikës së Rumanisë me gjithsejt 4 udhëtarë.
Gjatë pyetjes standarde doganore lidhur me posedimin e mjeteve monetare mbi pragun e lejuar ligjor prej 10,000 euro për person, pala është deklaruar se nuk posedon mjete për deklarim.
Pas përzgjedhjes për kontroll fillestar nga zyrtarët doganorë, janë gjetur një çantë dore në të cilën ishin të fshehura 32,500 euro.
Pas konstatimit të kësaj parregullsie dhe pyetjes së zyrtarit doganor mbi mosdeklarimin e mjeteve monetare, pala është përgjigjur se “kanë të drejtë deri në 10,000 euro për person”.
Bazuar në dyshimet e ngritura, automjeti është dërguar në vijën e dytë të kontrollit, ku në bashkëpunim me Policinë Kufitare është kryer kontroll i detajuar. Gjatë këtij kontrolli, në bagazhin e automjetit, përkatësisht në hapësira të fshehura në pjesën e akumulatorit dhe nën plastikën e gomës rezervë, janë zbuluar edhe 90,100 euro shtesë, si dhe 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro).
Në total, janë zbuluar dhe sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej:
• 122,600 euro
• 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro)
Rasti është përcjellur për hetime të mëtejme, derisa Dogana e Kosovës rikujton se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, çdo person që hyn ose del nga territori doganor i Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë mbi 10,000 euro është i obliguar t’i deklarojë ato.
Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave përkatëse administrative dhe ligjore.

