Autobusi nga Kosova u aksidentua në Austri, publikohet video nga momenti kur udhëtarët dalin jashtë

Shpërndaje

Në orët e para të mëngjesit disa udhëtarë të cilët ishin nisur nga Kosova për të shkuar në Gjermani janë përballur më një aksident të rëndë trafiku.

Si pasojë e përplasjes së autobusit me një pjesë betonike të autostradës në afërsi të Salzburgut në Austri, shumë prej tyre janë lënduar.

Nga mediat austriake është raportuar se 20 persona kanë mbetur të lënduar nga ky aksident, ndërsa tre prej tyre ishin në gjendje më të rëndë shëndetësor.

E në njoftimin e fundit nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës është theksuar se tani për tani është vetëm një nga qytetarët e lënduar në këtë aksident që po trajtohet në spital, pasi që të tjerët janë liruar.

E nga zyrtarët e organeve hetuese në Austri është thënë se sipas hetimeve të para dyshohet se arsyeja që çoi deri tek aksidenti ishte se shoferin mund ta ketë zënë gjumi, ose për shkak se mund të ketë qenë ndonjë defekt teknik.

Kurse komandanti i skuadrës së shpëtimit, Hermann Gastragaser deklaroi se në autobusin ndodheshin 28 persona.

E në media tashmë është publikuar edhe një video-incizim ku tregohet momenti kur udhëtarët kanë dalë nga autobusi i cili u aksidentua në rajonin e Austrisë.

Udhëtarët që ishin nisur nga Kosova përmes kompanisë “Armend Tours” me seli në Gjakovë parashihej të udhëtonin deri në Hannover të Gjermanisë.

Ministria e Punëve të Jashtme bëri të ditur se me të marrë informatën, ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana ka shkuar në vendin e ngjarjes.

“Ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke ofruar mbështetjen e ambasadës tonë për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre. Në Spitalin e Salzburgut, ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë persona, dhe pas trajtimit, shtatë prej tyre janë liruar, derisa një person vazhdon të mbahet për trajtim në këtë spital.”, thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu u tha se Ambasada e Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore dhe shëndetësore në Salzburg dhe se lidhur me detajet shtesë do të jap detaje ndërkohë.

“Deri në këtë fazë mund të konfirmojmë se nuk ka asnjë viktimë, dhe shtatë nga tetë personat që kanë pësuar lëndime, janë trajtuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. MPJD do t’ju mbajë të përditësuar në vazhdimësi për rastin”, u tha tutje nga MPJD.