RajoniTop Lajme

Begaj mbështet vendimet e Qeverisë rreth reciprocitetit për targat dhe dokumenteve identifikuese

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Begaj ka shprehur mbështetjen për vendimet e qeverisë rreth reciprocitetit për targat dhe dokumenteve identifikuese.

“Presidenti Begaj tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe theksoi përkrahjen për qëndrimet e Kosovës në dialogun me Serbinë, që siç tha ai, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet tutje në njoftim.

Kurti e ka përgëzuar Shqipërinë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ka ritheksuar përkushtimin dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, si dhe thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve tona.

Njoftohet se Kurti theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, u diskutua rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë e sidomos e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka u kërkua bashkëpunimi i të dyja vendeve në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Njoftohet se Begaj e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe theksoi gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit bilateral dhe shprehu përkrahjen e plotë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.