MaqedoniTop Lajme

Tragjedia Në Bullgari/ Prokuroria Bullgare Ndërpret Hetimet, Kjo Është Arsyeja

Shpërndaje

Zëdhënësja e kryeprokurorit të Bullgarisë, Sijka Mileva, tha se është ndërprerë procedura para hetimore për aksidentin e autobusit nga Maqedonia e Veriut në të cilin u dogjën 46 persona.

Siç njoftojnë nga Agjencioni Informativ i Maqedonisë, Mileva tha për median bullgare BNT se arsyeja për këtë është për shkak se prokurorët bullgarë kanë kërkuar më shumë hetime dhe informacione nga kolegët e tyre në Maqedoni.
Mileva tha se hetimet e deritanishme kanë vërtetuar fakte të reja lidhur me atë që ka ndodhur gjatë natës tragjike.

Natën e 23 nëntorit 2021 autobusi u dogj plotësisht, por jo nga katër tubat e benzinës që transportonte shoferi maqedonas.

Ata nuk janë shkaku i zjarrit sepse kanë mbetur të paprekura.

Mileva tha se për të ishte një tragjedi e madhe, e cila do të mbetet në kujtesën e saj.

“Ky është një rast i paprecedentë dhe unik në histori. Hetimi i vendit të aksidentit ka zgjatur më shumë se 24 orë, duke filluar në errësirëne asaj nate, mëngjesin e hershëm të ditës së ngjarjes dhe përfundoi në mbrëmje. Gjashtë hetues dhe tre prokurorë kanë punuar në këtë rast dhe mbledhja e provave ka përfunduar për vetëm 10 ditë”, komentoi Mileva.

“Të gjitha sendet e gjetura u kthyen, dhe secili artikull u vulos veçmas. Janë kryer 45 autopsi. Prej të gjithëve është marrë material biologjik, nga i cili është nxjerrë profili i ADN-së. Me kërkesë për ndihmë juridike deri te organet e drejtësisë në Maqedoni, janë identifikuar edhe trashëgimtarët e viktimave, nga të cilët është marrë edhe ADN-ja”, shtoi Mileva.

Për përcaktimin e shkakut të vdekjes së pasagjerëve është kryer ekspertizë komplekse teknike, si dhe ekspertizë mjeko-ligjore.

Është konstatuar se shumica e pasagjerëve të vdekur kanë ndërruar jetë nga djegjet e rënda dhe goditja termike.

“Nga konstatimi i ekspertizës për ngjarjen është konstatuar se shoferi e ka drejtuar mjetin me shpejtësi joproporcionale dhe të madhe, për çka ka humbur kontrollin e autobusit”, deklaroi Mileva.

Ajo tha se kanë kryer edhe ekspertizë kimike, e cila ka konstatuar kategorikisht se në autobusin nga Maqedonia nuk ka pasur shenja të mjeteve shpërthyese.