Arrestohet njëri nga udhëheqësit e grupit kriminal “Mbrojtja Civile” në veri, tre policë të lënduar

Shpërndaje

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se është arrestuar Milun Milenkovic i njohur me nofkën Lune.

Ky i fundit dyshohet të jetë njëri nga udhëheqësit e bandës kriminale në veri me emrin “Mbrojtja civile”.

Gjatë aksionit janë lënduar tre policë.

Postimi:

“Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.

Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cënuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë.

Republika nuk do të zmbrapset.

Çka ndodhi sot?
Para pak qestesh, media kanë publikuar pamje ku dëgjoheshin zhurma e alarmit në atë pjesë të vendit.

Mediumi “Radio Kontakt Plus” ka raportuar se sirenat janë lëshuar pas arrestimit të një qytetari.

Sipas informacioneve, të cilat ende nuk janë të konfirmuara, disa anëtarë të njësisë speciale kanë qëndruar në qendër të qytetit, derisa po ndodhte arrestimi.

Po ashtu, përmendet se edhe një salon i flokëve është bllokuar, derisa po zhvillohej kjo ngjarje. Pak minuta më vonë, policia është larguar dhe raportohet, se është hedhur gaz lotësjellës.

Një gjë e tillë, gjithnjë sipas këtij mediumi, ka nervozuar qytetarët të cilët kanë hedhur gurë dhe objekte të tjera në drejtim të veturave zyrtare të policisë.

Aksioni ka ndodhur ditën që kryeministri Albin Kurti ka prezantuar planin për shtensionim të situatës në veri.

Në një konfernecë për medie, ai ka thënë se plani i tij përbehet prej pesë hapave.

Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.

Hapi 2: Grupet e dhunshme tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave në veri.

Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.

Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.

Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog, dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.