Kurti: Propozimin për Asociacionin Rama të ia prezantojë Beogradit për shqiptarët në Luginë

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për herë të parë në publik lidhur me draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ia ka dorëzuar presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si ideatorë të propozimit franko-gjerman.

Në një deklarim për media të martën, Kurti ka thënë se meqenëse kryeministri Rama beson se draft-statuti i tij për pakicat kombëtare është i duhuri, le të ia prezantojë atë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për shqiptarët në Luginën e Preshevës, raporton Telegrafi.

“Nuk kam dyshim që Edi Rama beson se propozimi i tij i draft-statutit është i mirë dhe duke qenë kështu, çfarë unë propozoj është që kryeministri Rama këtë draft-statut për pakicat kombëtare të ia prezantojë presidentit të Serbisë më së largu në takimin e radhës të Ballkanin e Hapur për shqiptarët në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc”.

“Pra, padyshim se kryeministri Rama beson se ky model është i duhuri dhe do të duhej që këtë propozim të ia bëjë Vuçiqit”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar.

Ndërsa, i pyetur lidhur me takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Kurti ka thënë se ende nuk ka marrë përgjigje nga BE-ja.

“Unë nuk kam marr përgjigje ende nga z. Borrell dhe besoj se së shpejti do të na përgjigjet lidhur me kërkesën time që të kemi takim të serishëm në Bruksel. Jam si gjithnjë konstruktiv dhe i përkushtuar sepse besoj se pa e intensifikuar dialogun s’mund t’i zbatojmë marrëveshjet. Unë jam i interesuar që sa më shpejt të kemi takim në Bruksel prandaj edhe e kam parashtruar kërkesën”.