Ekspertët të bindur: Mundësia për kornizë të re të dialogut është minimale
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka filluar të intensifikohet kohëve të fundit. E, në këtë kuadër presidenti i Serbisë, ditë më parë paralajmëroi mundësinë për një kornizë të re për dialogun. Kjo u mohua nga emisari i BE-së për dialog. Ndërkohë, edhe njohës të procesit të dialogut në Kosovë thonë se gjasat e ndryshimit të formatit të dialogut janë minimale.
Tri herë brenda një intervali kohor prej rreth 30 ditësh vizitoi Kosovën emisari Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Në vizitën e fundit, këtë të enjte në Prishtinë, Lajçak mohoi pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili paralajmëroi për mundësinë e një kornize të re për dialogun, raporton RTK.
Gjasat për ndryshime dhe një format të ri të dialogut Kosove-Serbi, janë minimale, vlerëson njohësi i procesit të dialogut, Artan Muhaxhiri. Sipas tij, vizitat e shpeshta janë vetëm tregues për përpjekjet për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet dy vendeve.
“Për sa i përket mundësisë së ndryshimeve të rëndësishme në dialog, nuk mendoj se ky është një opsion realist, sepse tashmë dialogu e ka formën e vet. Nuk besoj se do të mundë të ketë ndonjë ndryshim radikal. Mund të ketë ndonjë ndryshim për sa i përket vizitave edhe natyrës së takimeve, por çdo gjë është në drejtim të arritjes së marrëveshjes finale”, tha ai.
Në kuadër të ndryshimeve në formatin e dialogut me Serbinë, në të kaluarën është përmendur mundësia e përfshirjes së opozitës kosovare në ekipin dialogues. Por, kjo ishte kundërshtuar nga partitë opozitare. Edhe profesori universitar i shkencave politike, Bekim Baliqi, thotë po ashtu se zgjerimi i ekipit dialogues është i panevojshëm.
“Tashmë është krijuar një pajtueshmëri që dialogu nuk duhet të shfrytëzohet për poenë politik. Unë mendoj se kjo nuk e bënë të domosdoshme krijimin e një ekipi të unitetit, siç ka qenë më herët, apo edhe të krijimit të një trupe mbi institucionale. Prandaj, nuk e shoh si diçka të domosdoshme, por, natyrisht për dialogun duhet të ketë një konsensus kombëtar”, tha ai.
Dialogu Kosovë-Serbi ka filluar në vitin 2011. Fillimisht nisi si teknik e më pas ndryshoi formatin në politik, me qëllim të arritjes së marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve dy vendeve. Një gjë e tillë po kërkohet prej vitesh nga ndërkombëtarët. Megjithëkëtë, marrëveshja duket të jetë e largët, pasi Kosova e Serbia vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme e jo gatishmëri për arritjen e marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vete.