Komuna e Gostivarit do të lëshojë nga 1.500 denarë për 555 nxënës të klasës së parë
Pas përfundimit të afatit kohor të pranimit të dokumentacionit nga familjet të cilët kanë nxënës në klasat e para për vitin shkollor 2022/2023, Departamenti për Mbrojtje Sociale, Shëndetësore dhe Mbrojtjen e Fëmijëve në Komunën e Gostivarit, ka konstatuar se 555 aplikime janë të rregullta, ndërsa mjetet do të lëshohen së shpejti.
Ky është viti i parë i ndarjes së mjeteve për prindërit të cilët kanë fëmijë në klasë të parë dhe, sipas Komunës së Gostivarit, në plan është që kjo ndihmë financiare të shndërrohet në traditë edhe gjatë vitete të ardhshme.
“Me vendim të Këshillit të komunës do t’i përkrahë të gjitha familjet që kanë fëmijë që fillojnë në klasën e parë me një shumë prej 1.500 denarë, andaj shpresojmë që sadopak të kontribuojmë në uljen e shpenzimeve për përgatitjen për shkollë. Shpresojmë që kjo ndihmë të jetë e mirëpritur”, deklaroi kryetari i këshillit, Valbon Limani.