MaqedoniTop Lajme

Në UT filloi viti i ri akademik 2022/2023

Shpërndaje

Në Universitetin e Tetovës sot filloi viti akademik 2022/2023. Me këtë rast, në sheshin e Rektoratit u organizua ceremonia solemne e pritjes së studentëve të rinj. Ky vit akademik, për dallim nga vitet tjera, filloi me një minutë heshtje në kujtim të studentit të Fakultetit Filozofik të UT-së , Erdan Ramadani, i cili ditë më parë humbi jetën tragjikisht.

Studentëve të rinj, me fjalë rasti iu drejtuar Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai tha se, dita e sotme, fillimi i vitit akademik 2022/2023 e zbukuron edhe më shumë mozaikun edukativ-arsimor dhe e begaton historikun e Universitetit të Tetovës, i cili është përvijuar dhe ndërtuar me mund dhe sakrificë nga intelektualët, martirët, atdhetarët dhe mbarë popullata e këtyre trevave. “Unë në këtë moment ndaj me ju një ndjenjë të veçantë, që përmes zërit të sakrificës dhe martirizimit, por edhe përmes zërit të perspektivës dhe progresit që besojmë të jeni Ju, ju uroj mirëseardhje në këtë ditë të shënuar për të gjithë ne, me shpresë se do të na prijë e mbara dhe bashkërisht të jemi zëri i dijes, shkencës, arsimimit dhe progresit shoqëror. Këtë progres e kanë synuar gjenerata të tëra para nesh, si mësues, arsimtarë, profesorë, të rinj e të reja, që kishin qëllimin më sublim, për ta parë këtë tempull të dijes në lartësinë e madhështisë që përfaqëson ky institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Historiku i lavdishëm, sakrificat e panumërta, këmbëngulja e drejtuesve dhe orientimi drejt së ardhmes e shndërruan këtë vatër të dritës dhe diturisë në Universitetin kryesor të arsimit sipëror dhe qendër të kërkimeve shkencore”, tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Rektori, në fjalën e tij më tej, theksoi se regjistrimi i qindra dhe mijëra studentëve të rinj për çdo vit akademik në këtë institucion dëshmon më shumë se gjithçka, se Universiteti ynë i përbashkët ka hedhur hapat e tij përpara në shumë segmente të funksionimit të tij, duke filluar nga procesi mësimor, kërkimet shkencore, bashkëpunimi ndëruniversitar dhe ndërkombëtarizimi i tij.

“Falë arritjes së këtyre standardeve, UT tashmë është konfirmuar si vatër dhe alternativë e vetme e arsimit të lartë në gjuhën shqipe, me përmasa kombëtare dhe rajonale. Në gati tri dekada të veprimtarisë, Universiteti i Tetovës i ka përmbushur idealet tona për edukimin, formimin dhe nxjerrjen e kuadrove të mirëfilltë e të përgatitur për udhëheqjen e shoqërisë dhe të vendit. Në shërbim të këtij qëllimi i kemi mbështetur dhe do t’i mbështesim edhe në të ardhmen studentët tanë e sidomos ekselentët, që arrijnë suksese të larta gjatë vitit akademik, andaj e përfitojnë bursën universitare, përkatësisht lirohen nga participimi studentor. Nga ndarja e bursave ndër vite kanë përfituar mijëra studentë të ciklit të parë e të dytë të studimeve dhe numri i tyre rritet nga gjenerata në gjeneratë, në saje të punës dhe përkushtimit në studime”, theksoi ndër të tjera Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Në shenjë simbolike, sot u bë ndarja e indeksave të parë për studentët e rinj nga ana e Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.