U mbajt mbledhja e gjashtë e Komitetit Ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz
Komiteti Ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, sot mbajti mbledhjen e gjashtë me radhë.
Anëtarët e komitetit në këtë mbledhje miratuan hulumtimin shumë-sektorial për konceptin, vizionin dhe bazat e Master Plani, që ishte prezantuar në mbledhjen pararendëse.
Studimi i miratuar sot iu ishte dorëzuar secilit anëtarë për shqyrtim dhe komente eventuale. Në këtë studim përcaktohen vizioni, objektivat e përgjithshme dhe qëllimet e veçanta, duke përfshirë rezultatet e pritura, kriteret e vlerësimit, vlerat e trashëgimisë kulturore, dhe udhëzimet për hartim të Master Planit sipas atributeve të zonave të caktuara.
Me vendimin e sotëm, është përmbyllur hapi i parë i një procesi të rëndësishëm për mandatin e këtij komiteti dhe në të njëjtën kohë i është hapur rruga shpalljes së konkursit për Hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.