ASH: Konsumatorët familjar dhe biznesi i vogël në RMV paguajnë çmimet më të larta të energjisë elektrike në rajon
Sot jemi dëshmitarë të një farse dhe të një dështimi total të qeverisë aktuale të RMV lidhur me masat antikrizë të paraqitura e të prezantuara gjatë seancës së 88 -të të kabinetit qeveritar .
Pa fije turpi e pa asnjë argument , prezantuan e proklamuan, se gjoja nga muaji prill e deri në muajin shtator subvencionuan në masën prej 80 % të energjisë elektrike të konsumuar për 611.000 konsumatorët familjarë dhe për 72.000 konsumatorë të biznesit të vogël që furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi i shërbimit universal.
Por në fakt e vërteta është krejt ndryshe!
I kujtojmë dhe i tregojmë qeverisë se në bazë të çmimeve që i keni aprovuar dhe miratuar pikërisht Ju e ai KRRE ( komisioni rregullator i energjisë) skandaloz që e keni propozuar e votuar Ju, bizneset e vegjël në vend paguajnë/
225 € për 1 MWh energji elektrike të konsumuar ( 13,8204 denarë për 1 kWh energji elektrike pa TVSH – për pjesën e furnizimit ).
Duke ju referuar çmimeve të energjisë elektrike në bursat europiane për furnizim në tregun liberal, më konkretisht asaj HUPX, shihet qartë që qeveria po bën një propagandë të shpifur me qëllim që të fshehë paaftësinë, dhe keqmenaxhimin në këtë sektor .
Duke u bazuar në referencat e kësaj burse, të dhënat tregojnë :
– se çmimi i tregtimit të energjisë elektrike me datë 10.10.2022 do të jetë 238 € për 1MWh
– se çmimi mesatar i tregtimit të energjisë elektrike për periudhën e muajit tetor ( 01.10.2022 deri më 10.10.2022) është në vlerë prej 220 € për 1MWh , dhe
– se për gjithë periudhën e vitit 2022, pra për periudhën kohore janar – tetor 2022 ( 01.01.2022 deri më 10.10.2022 ) çmimi mesatar i tregtimit të energjisë elektrike është në vlerë prej 284 € për 1 MWh .
Në disa dalje publike Aleanca për Shqiptarët i ka prezantuar opinionit publik në vend se konsumatorët familjar dhe biznesi i vogël në RMV paguajnë energjinë elektrike me çmim më të lartë krahasuar jo vetëm me shtetet e tjera të rajonit por edhe ndaj disa vendeve të BE. ( Në Bosnjë për 1MWh biznesi i vogël paguan 65 €, në Kosovë 70€, në Serbi 100 € , në Shqipëri 120 €, në Bullgari 130 €, në Rumani 180 € dhe në Greqi 220 € ).
Pyesim publikisht e në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë eksponentët e ekspertët qeveritar, se si i përllogaritën dhe dolën të proklamojnë se po subvencionon energjinë elektrike të konsumuar nga sektori i biznesit të vogël në tregun universal.
Kjo është një skandal dhe shprehje e një injorimi e mosrespektimi ndaj konsumatorëve të biznesit të vogël.
Faktet që po ua prezantojmë tregojnë diçka krejtësisht tjetër nga ajo që po prezanton qeveria, shihet qartë se biznesi i vogël në RMV po paguan çmime shumë të larta për energjinë elektrike të konsumuar, po paguan çmime gati me ato që po ofron tregu i lirë.
Pyesim publikisht qeverinë pas këtyre të dhënave që publikuam, të na tregojnë se ku është ” fshehur ” ai ” gjoja 80 %” famoz që qeveria po subvencionon për energjinë elektrike për konsumatorët e biznesit të vogël.
Jemi para një sfide të lartë, biznesi i vogël që furnizohen nga furnizuesi i shërbimit universal me energji elektrike, po ballafaqohen me një krizë të thellë ekonomike, dhe me masat e sotme të proklamuara nga qeveria, ku nuk është paraparë asnjë masë ekonomike për ti ndihmuar apo lehtësuar pasojat nga çmimi i lartë që po paguajnë për energjinë elektrike, vështirë se do të jenë në gjendje të funksionojnë e të ekzistojnë.
Mbyllja e bizneseve, frenimi i konsumit nga mungesa e të ardhurave financiare e ngadalësimi i rritjes ekonomike do të ndikojnë negativisht edhe në të hyrat në buxhetin e shtetit .
Aleanca për Shqiptarët ka dorëzuar disa propozime për daljen nga kjo krizë, por qeveria po tregohet e shurdhër dhe mospërfillëse.
Për të zbutur sado pak pasojat për kategorinë konsumuese të biznesit të vogël, propozojnë që:
– vlera e TVSH për energjinë elektrike të ulet në masën prej 5 % nga ajo që është aktuale në masën prej 18%
– subvencionimi për vendosjen e impiantëve fotovoltaikë për vetëkonsum
– ulje e çmimit të furnizimit me energji elektrike.
Aleanca për Shqiptarët